Turizmi kosovar promovohet në Francë NULL NULL 17.03.2016 14:16 17.03.2016 14:16 Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të promovimit të turizmit dhe vlerave turistike që ofron vendi ynë, së bashku me operatorë turistikë vendor janë duke marrë pjesë në panairin e turizmit “Destination Nature”, i cili po mbahet në Paris të Francës. Prezantimi i bukurive natyrore, vlerave kulturore si dhe aktiviteteve të ndryshme si: ecje e hiking kanë zgjuar vëmendjen e shumë vizitorëve të cilët kanë ndaluar te shtandi i Kosovës në panair. Interesim për vendin tonë gjatë këtij panairi është i konsiderueshëm edhe nga ana e operatorëve turistikë të cilët po shfaqin një interes të veçantë për vendin tonë si destinacion turistik. Panairi “Destination Nature”, është një prej panaireve më të rëndësishme në fushën e turizmit në veçanti të udhëtimit dhe aktiviteteve në natyrë. Në shtandin e Kosovës së bashku me përfaqësuesit e KIESA-s, ofertat turistike po i promovojnë këta tur operatorë: “Altavia”, “ Traveks”, “BNA” dhe “Catun”. Në kuadër të panairit do të bëhet edhe promovimi i guidës turistike për Kosovën të Petit Fute, në gjuhën frënge. Panairi i Turizmit “Destination Nature” mbahet në kryeqytetin francez, Paris nga data 17 – 20 Mars 2016, transmeton Klan Kosova.