Tragjedi në Misisipi: Policia hap zjarr, humb jetën fëmija 1-vjeçar NULL NULL 17.06.2026 11:56 17.06.2026 11:56 Një fëmijë ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga një polic në Misisipi të SHBA-së, gjatë një incidenti që përfshiu një automjet ku ndodhej së bashku me nënën dhe tezen e tij. 1-vjeçari Kohen Kartier Wiley, u godit për vdekje nga një oficer i Policisë së Senatobias, i cili ishte duke reaguar ndaj një raportimi për një vjedhje të dyshuar në një dyqan Walmart. Sipas Policisë së Senatobias, në momentin e ndërhyrjes, oficerët kishin hasur në dy persona dhe një fëmijë që po largoheshin nga dyqani dhe po hynin në një veturë. Në deklaratë thuhet se policët tentuan ta ndalonin automjetin, por shoferja dyshohet se u drejtua nga oficerët, duke rrezikuar t’i godiste. Pas kësaj, një nga policët ka shtënë me armë drejt makinës, e cila më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia njofton se më vonë të përfshirët janë paraqitur në një spital lokal, ku u konstatua vdekja e një fëmije, ndërsa një tjetër person ndodhet në gjendje kritike. Asnjë zyrtar policor nuk ka pësuar lëndime serioze, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv. Dëshmitarë okularë kanë dhënë versione të ndryshme për ngjarjen. Njëri prej tyre tha se pa policinë duke pritur në parking, ndërsa dy gratë po dilnin nga Walmart, njëra duke mbajtur pelena dhe tjetra foshnjën në krah. Një tjetër dëshmitar deklaroi se policët vrapuan drejt veturës dhe më pas u dëgjuan të shtëna me armë, duke shprehur habi për përdorimin e armës në një hapësirë publike. Autoritetet amerikane po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.