Tollovi në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët e PD-së përplasen me Gardën – bllokojnë foltoren NULL NULL 07.12.2023 09:49 07.12.2023 09:49 Deputetët e Partisë Demokratike në Shqipëri kanë mbërritur në ambientet e parlamentit përpara nisjes së seancës plenare, ku pritet të miratohet nen për nen buxheti i shtetit. Deputetët janë përplasur me efektivët e Gardës të cilët kanë tentuar të ndalojnë bllokimin e foltores së Kuvendit me grumbuj karrigesh. Pas shtyrjes fizike, deputetët kanë mundur të vendosin karriget e tyre rreth foltores. Duket se opozita do të vijojë me të njëjtin skenar për bllokimin e parlamentit. “O qelbësirë na thyet duart”, dëgjohet të thotë deputetit i PD-së Bledjon Nabllati, i cili ishte ndër më aktivët në bllokimin e foltores së Kuvendit, raporton “Euronews Albania”. Kujtojmë se në seancë mungon ish-kryeministri Sali Berisha i cili u përjashtua me 10 ditë nga punimet e Kuvendit për shkak të bllokimit që i bëri parlamentit në seancën e të hënës. Krahas Berishës janë përjashtuar me 10 ditë dhe deputetët Flamur Noka, Eldo Hoti, Gazmend Bardhi, Albana Vokshi dhe Edi Paloka. Ndaj tyre masa e vendosur është maksimale pasi bllokimi i Kuvendit është kryer në mënyrë të përsëritur prej tyre. Flamur Noka u pezullua për ndezjen e flakadanëve në sallë, si dhe tentativën për t’i vënë flakën grumbullit të karrigeve. Deputetet Elda Hoti dhe Albana Vokshi u përjashtuan për shkak se mbajtën në çantë dhe i dhanë flakadanët kolegut Noka. Sakaq përjashtimi i Bardhit, Berishës dhe Palokës u bë nën argumentet se penguan zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke shkaktuar kaos dhe duke fyer kolegët.