Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Toka është e jona”: Punimet në Veternik filluan, por a mori leje kompania? (VIDEO)

NULL NULL
nga 15.07.2025 19:35

Pas ankesave të banorëve të rrugës “Jakup Ceraja” në Veternik, që kundërshtojnë punimet në një parcelë përballë shtëpive të tyre, ka reaguar edhe kompania që e zotëron atë pronë.

Në një përgjigje me shkrim për Kiks Kosova, përfaqësuesit e kompanisë thonë se parcela është blerë në vitin 2024 dhe që nga dhjetori të atij viti ata kanë hyrë në posedim të saj.

Kompania mohon të ketë nisur ndonjë ndërtim pa leje, duke sqaruar se deri tani janë bërë vetëm “punime tokësore për rregullimin e parkingut dhe mureve”, të cilat sipas tyre nuk kërkojnë leje ndërtimi.

Megjithatë, ata thonë se kanë dorëzuar një aplikim për leje për parking dhe autolarje dhe janë në pritje të një përgjigjeje nga Komuna e Prishtinës.

Sa i përket vendosjes së një kontejneri dhe dy kabinave të tualetit në atë parcelë, kompania thotë se ato janë të vendosura në pronën e tyre dhe aktualisht nuk janë në përdorim.

Një tjetër pikë përplasjeje është qasja në rrugën publike, për të cilën disa banorë thonë se po u pamundësohet për shkak të punimeve. Kompania, ndërkaq, thotë se ka siguruar një përgjigje zyrtare nga Komuna e Prishtinës ku konfirmohet se rruga është pronë publike dhe mund të përdoret pa pengesë nga të gjithë.

Në dokumentin e dërguar, kompania akuzon njërin nga fqinjët se po e përdor rrugën publike si pronë private, duke parkuar automjete dhe ndërtuar gardhin e shtëpisë mbi një metër të saj. Ata thonë se Policia e Kosovës, më 11 korrik 2025, ka intervenuar për të liruar rrugën nga automjetet e parkuara.

Ata shtojnë se, para se të nisnin këto kontestime, kishin pasur një takim me fqinjët, ku njëri prej tyre sipas kompanisë kishte ofruar t’ua shesë shtëpinë, por ata kishin refuzuar ofertën. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme