Terrence Malick: Një bisedë fascinuese me regjisorin e pakapshëm NULL NULL 05.08.2015 19:31 05.08.2015 19:31 “Terrence Malick është ekstremisht i ngushtueshëm dhe nuk duhet provuar kontakti direkt me të. Me të duhet pretenduar se jeni duke e përgjuar teksa ai bën një bisedë private”. Shkruar pas kthimit nga intervista e tij në Festivalin e Filmit në Romë, në 24 Tetor 2007. Jam ulur në mes të rreshtit të parë të sallës Petrassi të Auditoriumit në Romë, Itali, ku Terrence Malick do të japë një intervistë në Festivalin e Filmit të Romës – intervista e tij e parë prej vitit 1973, një shans jetësor për adhuruesit e filmit. Terrence Malick ka shkëlqyer deri në verbim botën me katër filma që kanë sensitivitet dhe madhështi të jashtëzakonshme, por gjithmonë ka refuzuar të intervistohet dhe fotografohet, gjë e cila vetëm sa e ka bërë më të peshueshëm reputacionin e tij legjendar. Terrence Malick Dy nikoqirët na informojnë pak para se Terrence Malick të futet në skenë. “Më mori shumë kohë deri sa e binda Terrence Malickun ta japë këtë intervistë dhe ai më në fund u pajtua me kushtin që nuk do të flasë për filmat e tij, por vetëm për filmat e tij të preferuar italianë”, më thotë njëri prej tyre. Pasi më japin një lajmërim të ashpër se inçizimi video dhe audio nuk është i lejuar, mikpritësit zhduken prapa perdeve. Ajri është i mbarsur me pritje; ndikimi i filmave të Terrence Malick është i barabartë me mosdëshirën e tij të paraqitet në publik, e aq më pak të filmohet. Heshtja prishet kur dy mikpritësit e shoqërojnë Terrence Malickun në skenë – nga një në secilën anë. Terrence Malick ka të veshur një pallto të errët, ende të mbërthyer deri në fund. Publiku shpërthen në një duartrokitje të dalldisur. Malick duket i dezorientuar dhe i pasigurt për vendndodhjen e tij, duke ecur me hapa të ngadaltë drejt ulëses së tij në skenë, ndoshta duke menduar se kjo intervistë nuk është prej ideve më të mira. Ovacioni i publikut zë të ulet dhe Malick prek zemrën me dorë, një shenjë vlerësimi. Ai është këtu për një arsye: të na tregojë klipe nga filmat e tij të preferuar italianë dhe të na tregojë se çka gjen inspiruese në ta. Luhet klipi i parë – një skenë nga filmi Toto [1]. Një hajn me përvojë, që luhet nga Toto, po provon ta mësojë artin e vjedhjes disa të rinjve. Dritat ndizen dhe intervista fillon. “Ky ishte filmi i parë i Totos që ia doli në SHBA”, na thotë Malick. “Unë jam fans i madh i Totos – fytyra e tij përmban një dashuri, kënaqësi dhe lumturi, mu sikur Roberto Benigni [2]. Benigni është pasardhës i vërtetë i artistëve si Toto, apo Charlie Chaplin”. Klipi tjetër është një pjesë filmi nga Pietro Germi. Një baba italian old-fashion vendos ta mbyllë vajzën e tij për t’i shpëtuar planet që ka për martesën; toni i skenës përzien dramën me komedi. Çka i pëlqen Malickut kaq shumë rreth këtij filmi? “Hareja, kualiteti i pafajësisë të cilin e kullon… Humori i tij i pafajshëm, diçka që më nuk e shohim”. Pas kësaj vjen një skenë nga filmi “Sheiku i Bardhë”, nga Federico Fellini [3]. Një vajzë provinciale arrin në qytet duke kërkuar të ashtuquajturin “Sheik të Bardhë”, një sharlatan lokal të cilit i pëlqen të vishet në rroba të shtrenjta, ekzotike. Ai, si mashtrues, e mbështjell vajzën rreth gishtit të tij të vogël në një skenë që përzien humorin me surealizëm, në stilin e Fellinit. “Përsëri, ndjenja e ngrohtë e humorit dhe pafajësia e vajzës janë ato që më pëlqejnë… Ndjehem keq për vajzën provinciale, karakterin e pafajshëm që zhvatet nga mashtruesi i vetëquajtur ‘Sheiku i Bardhë”. Skena zë vend në një pyll magjepsës italian, me shkurre e pisha jo shumë ndryshe nga Kalifornia e Jugut. Kamera e Fellinit ngadalë rrëshqet në pemët dhe bimësinë që kap kuadri. Nuk mund të mos e krahasosh një skenë të tillë me lidhjen me natyrën që e përmbajnë filmat e Malick, veçanërisht “Vija e Hollë e Kuqe”. Days of Heaven (Ditët Parajsore) Kjo analogji përmendet nga nikoqirët. “Absolutisht”, përgjigjet Malick. “Mënyra ultra-realiste në të cilën natyra prezantohet në atë skenë, me aq shumë zogj e pemë, me të vërtetë më joshë. I shton edhe më tepër pafajësi skenës dhe simbolizon çiltërsinë e vajzës dhe percepcionin e saj mbi botën, që ende nuk është zvetënuar. Mjedisi natyral, hiper-romantik simbolizon shpresën që e kanë njerëzit provincialë kur zhvendosen në një qytet të madh”. Roli i Sheikut të Bardhë luhet nga Alberto Sordi, mbreti i komedisë Italiane në vitet 1950-1980. “Ishte i mrekullueshëm”, thotë Malick. “Fytyra e tij shkëlqente me kënaqësi dhe pafajësi, njëjtë sikur Chaplin, Benigni dhe Toto… Të bën të dëshirosh të jesh fëmijë përsëri”. Një temë fillon të qartësohet: Terrence Malick e do pafajësinë dhe gjithçka që lidhet me të. Vazhdon ta përmendë pafajësinë gjatë gjithë intervistës. Tash, Malick e ka zbërthyer pallton e tij dhe është i lirshëm. Ne të gjithë kemi një dëshirë të papërmbajtshme që ai ta komentojë të paktën një klip nga skenat e filmave të tij dhe fatmirësisht një gjë e tillë është pjesë e programit të intervistës: na shfaqet një film nga “Tokat e Këqija” dhe një nga “Bota e Re”. Në skenën e filmit “Tokat e këqija”, personazhi i Martin Sheen e puth babanë e Sissy Spacek. E përfshin përdorimin e zgjuar të një pasqyre. “M’u deshën disa vite ta kapja atë skenë si doja duke u siguruar që vendosja e pasqyrës të ishte saktësisht si duhej”, tregon Malick. “Po të isha duke xhiruar tash, kurrë nuk do ta harxhoja gjithë atë kohë në të”. Malick gjithashtu na tregon se “Tokat e Këqija” përmban paraqitjen e tij të parë dhe të vetme si aktor. “Një aktor duhej të vinte në 09:30 të mëngjesit për një skenë të vogël. E pritëm, orët kaluan, por ai nuk u duk gjëkundi. Në fund nuk mund të prisnim më – unë e vendosa kapelën e kaubojit dhe e luajta rolin vetë”. “Më pëlqen të punoj pas kamerës”, shton duke buzëqeshur. The Thin Red Line (Vija e Kuqe e Hollë) Të gjithë po kënaqemi duke e dëgjuar Terrence Malick teksa flet. Ai ngjan shumë me filmat që i krijon: i ngrohtë, i zgjuar dhe skajshmërisht i artikuluar. Klipi i fundit vjen nga filmi i tij më i ri “Bota e Re”, ku rolin kryesor e ka Colin Farrell. Kolonizatorët britanikë takohen me banorët lokalë, në atë që ngjan si takim mes dy botësh. Skena është e xhiruar me Steadicam [4] mbi barin e gjatë – tepër e ngjashme me skenën nga “Vija e Kuqe e Hollë”. “Ka ekzistuar një pjesë muzikore origjinale për këtë skenë, por në fund zgjodha një kompozim me piano nga Mozart, që e kishte pafajësinë e duhur për skenën”.[5] Njëri nga nikoqirët lidhet me fillimet e karrierës së Malick. “A është e vërtetë se keni punuar për The New Yorker para se të fillonit karrierën e filmbërjes?”. “Po. Më dërguan në Bolivi ta shkruaja një artikull për Che Guevara, por sinqerisht nuk ia kisha idenë se çfarë po ndodhte”. Fillon të qeshë. Terrence Malick do marrë pjesë në shfaqjen e filmit të Sean Penn “Into the Wild”, që shfaqet në një sallë tjetër. Ngrihet dhe përcillet nga skena aq shpejtë siç edhe u shfaq në të. Ata pak njerëz që afrohen për të marrë një autograf, miqësisht kthehen nga nikoqirët dhe, si u tha në fillim, askush nuk bën asnjë pyetje. Sidoqoftë, është e qartë për ne se kjo intervistë ishte një mundësi që nuk vjen më. Është tejet e qartë për mua se megjithëse Terrence Malick mund të duket i izoluar prej botës, nuk vihet në dyshim se ai është thellësisht i dashuruar thellësisht në të. klankosova.tv (Marrë prej http://www.lavideofilmmaker.com/filmmakers/terrence-malick-interview-rome-film-festival.html) Përkthyer nga Butrint Berisha. Shënime të përkthyesit [1] Toto (emër skene) – (1898-1967) – Aktor filmi dhe teatri, shkrimtar, këngëtar dhe tekstshkrues. I njohur si il principe della risata (Princi i qeshjes). [2] Roberto Begnini (1952 ) – Komedian, Skenarist dhe Regjisor italian. Filmin i tij më i njohur është La vita e Bella (Jeta është e Bukur). [3] Frederico Fellini (1920-1993) – Regjisor dhe skenarist i famshëm italian. Fitues i Palmës së Artë. [4] Steadicam – Stablizues për kamerat lëvizëse. I përdorur fillimisht në vitin 1975. [5] Mozart- Piano Concerto No. 23 në A Major, K 488 Adagio. Paraqitje e shkurtër e kryeveprave të Terrence Malick.