Tërmeti në Japoni: Banorët bllokohen brenda qendrës tregtare, mbi 150 mijë urdhërohen të evakuohen NULL NULL 28.07.2026 13:18 28.07.2026 13:18 Foto nga AOL Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi jugperëndimin e Japonisë, duke lënë të bllokuar disa persona brenda një qendre tregtare në prefekturën Kumamoto. Sipas autoriteteve japoneze, shumë njerëz mbetën të izoluar në qendrën tregtare Aeon Mall, ndërsa mediat lokale raportojnë se pas lëkundjeve ndodhi edhe një shpërthim në objekt, transmeton Klankosova.tv. Tërmeti goditi ishullin Kyushu në orën 16:27 sipas kohës lokale. Menjëherë pas tij u lëshua një paralajmërim për cunami, i cili u hoq brenda një ore, ndërsa mbi 150 mijë banorë u urdhëruan të evakuoheshin drejt strehimoreve. Departamenti i Zjarrfikësve njoftoi se në qytetin Kashima, kati i dytë i një kompleksi tregtar u shemb, duke lënë shumë persona të bllokuar nën rrënoja. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për pasgoditje të forta, pasi epiqendra e tërmetit ishte vetëm 10 kilometra nën sipërfaqen e tokës. Pamjet e transmetuara nga televizioni publik NHK tregojnë rrugë dhe ura të çara, si dhe disa ndërtesa të përfshira nga flakët. Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, deklaroi se autoritetet janë ende duke vlerësuar shkallën e dëmeve materiale dhe numrin e të lënduarve. “Ende po vlerësojmë përmasat e dëmeve dhe të viktimave, por jam informuar se tashmë janë raportuar disa persona të lënduar”, tha ajo. Japonia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në botë, duke regjistruar mesatarisht rreth 1.500 lëkundje sizmike çdo vit.