Tension te Milani: Leao “shpërthen” ndaj stafit të Allegrit pas zëvendësimit në Verona NULL NULL 20.04.2026 17:41 20.04.2026 17:41 Fitorja e Milanit ndaj Veronës është shoqëruar me një moment tensioni të lartë në stolin kuqezi. Ndonëse Rafael Leao ishte protagonist me asistin vendimtar për golin e Adrien Rabiot, ylli portugez nuk e ka pritur mirë largimin nga fusha në minutën e 63-të. Pas 50 ditësh pa gjetur rrugën e rrjetës, sulmuesi shfaqi hapur pakënaqësinë e tij duke iu drejtuar Aldo Dolcettit me pyetjen e prerë: “Pse më zëvendësoni?”, transmeton Klankosova.tv. Vendimi i stafit teknik u arsyetua me nevojën për të pasur më shumë “thellësi” në lojë, ndërkohë që situata u komplikua më tej me hyrjen e Gimenez, lëvizje e cila rrezikoi të prodhonte një tjetër zëvendësim të shpejtë taktik. Pavarësisht nervozizmit të shfaqur nga lojtari, i cili vjen pas reagimeve të ngjashme edhe në ndeshjet ndaj Lazios dhe Udineses ku nuk munguan as fishkëllimat e tifozëve, trajneri Massimiliano Allegri u mundua të qetësonte gjakrat pas ndeshjes. Tekniku italian e minimizoi incidentin duke deklaruar: “Leao ka bërë një ndeshje të mirë, por më duhej një sulmues me karakteristika të ndryshme”. Ky reagim i Leaos shton dyshimet mbi marrëdhënien e tij me trajnerin, pavarësisht rëndësisë që ai ka në skemat e ekipit.