Të mos flasësh për dhembjen e krijimit NULL NULL 29.06.2015 18:43 29.06.2015 18:43 Jose Saramango është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XXI, librat e të cilit vijojnë të renditen bri librave që nuk duhen humbur. Ai lindi më 1922 në një familje punëtorësh, me të ardhura modeste nga qendra e krahinës së Riatejos të Portugalisë. Kur ishte dy vjeç, familja u transferua në Lisbonë, ku babai i tij punonte si polic. Më 1947-n në moshën 24-vjeçare Saramango botoi romanin e tij të parë “Toka e mëkatit”. Origjinali titullohej “Vejusha”, por u ripagëzua nga botuesi me shpresën se ky titull do të bënte të shiteshin më shumë kopje. Saramango do të shprehej se në atë kohë nuk dinte asgjë nga vejushat dhe mëkati. Ai nuk botoi më për 19 vjet. Më 1966 doli përmbledhja e tij e parë me poema “Poemat e mundshme” dhe më 1977 ai botoi romanin e dytë “Manuali i pikturës dhe i kaligrafisë”. Gjatë viteve ’60-’70 Saramango ishte gjithashtu aktiv edhe në gazetari. Më vitin 1969 u fut në Partinë Komuniste portugeze, anëtar besnik i së cilës ka mbetur ende. Shkrimet e tij janë të lidhura fort me komentet mbi shoqërinë dhe politikën. Në botimin “I ngritur nga dheu” më 1980, të shkruar nën gjurmët e revolucionit të karafilit të kuq më 1974, Saramango formoi stilin e tij si romancier. Historia e tre brezave të bujqve nga rajoni i Alentejo i Portugalisë fitoi një vëmendje të madhe ashtu si dhe çmimin “Qyteti i Lisbonës”. Botimi i “Baltazari dhe Blimunda” më 1982 e bëri karrierën e tij një karrierë ndërkombëtare; më 1987 ai u bë romani i parë që doli në SHBA. Romani tjetër i tij “Viti i vdekjes së Rikardo Reis” fitoi disa çmime ndërkombëtare. Më 1989 doli “Historia e rrethimit të Lisbonës”. Në një intervistë të dhënë kohët e fundit, shkrimtari tregon se te ky libër personazhi kryesor i ngjason shumë atij. Raimundo Silva është një mesoburrë, korrektor i vetmuar, i cili bie në dashuri me bosen e tij, botuese, një vajzë tërheqëse, më e re se ai e cila e shpëton atë nga mediokriteti emocional. Romani i kushtohet gruas së tij, një gazetare spanjolle, Pilar de Rio, me të cilën u martua më 1988. “Jam, tipi i njeriut që nuk e ndërlikon jetën e tij. E kam jetuar gjithnjë jetën time pa i dramatizuar gjërat, qofshin këto ndodhi të mira apo të këqija. Thjesht jetoj çastin”, do të shprehej ai. Por si është për shkrimtarin shkrimi i një libri? “Për mua të shkruarit është punë. Unë nuk e ndaj punën nga akti i të shkruarit si dy gjëra që s’kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Jam shumë i disiplinuar. Nuk kam zakone të çuditshme. Nuk dramatizoj. Nuk flas për dhembjen që vuaj kur krijoj. Nuk kam frikë nga fleta e bardhë, nga blloku i shkrimtarit, nga gjithë ato gjëra që dëgjojmë për shkrimtarët”, shprehej ai. Saramango nuk besonte nocionin që disa personazhe kanë një jetë të tyren dhe autori vetëm u shkon pas. Në librat e tij çdo moment që kalon bën fjalë për diçka që ka ndodhur. Më 8 tetor 1998 ai u vlerësua me çmimin Nobel në letërsi, duke u bërë i pari shkrimtar portugez i nderuar me këtë çmim. Mjeshtri i rrëfimit magjik u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare në vitin 2010 në shtëpinë e tij në Lanzarot. /gazeta-shqip.com