Të gjitha befasitë e këqija politike që nga dimri i vitit të kaluar 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 30.04.2026 11:14 30.04.2026 11:14 Ka shumë ngjarje në këtë harkun kohor prej 14 muajve, apo prej shkurtit të vitit të kaluar e deri sot, me të cilat jemi ballafaquar, si shtet dhe si qytetarë, për herë të parë. Një skenë politike e qëndrueshme nuk preferon befasitë e këtij lloji, sepse ato sjellin pasiguri në variantin më të mirë, dhe tronditje serioze dhe të rrezikshme, në atë variantin më të keq. Vetëm njëra prej këtyre ngjarjeve që na është shfaqur për herë të parë ka qenë kryekëput pozitive. Të gjitha të tjerat kanë qenë negative. E pra, në shkurtin e vitit të kaluar, ndodhi për herë të parë që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë u mbajtën në afatin e rregullt katërvjeçarë. Pra, patëm zgjedhje të zakonshme, e jo të parakohshme, siç kishte qenë rasti me të gjitha votimet parlamentare që prej vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur. Ishte ky një lajm shumë i mirë. Por i fundit i këtij lloji në gjithë këtë periudhën kohore që fund e krye karakterizohet me kriza të njëpasnjëshme politike. Gjithçka nisi, në këtë kontekst, me ngërçin e madh parlamentar, me legjislaturën e nëntë të Kosovës, për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit nga radhët e ‘Vetëvendosjes’ e cila i fitoi zgjedhjet e shkurtit. Ndodhi, për të parën herë, që në mungesë të numrash nga partia fituese dhe në deficit të marrëveshjes midis kësaj partie dhe atyre opozitare, të mos kemi Kryetar të Kuvendit për një periudhë të gjatë kohore. Situata e verës së vitit 2014, megjithatë, nuk mund të krahasohet me këtë të verës, vjeshtës së vitit 2025. Dihet pse. Por kjo nuk ishte e tëra me këtë përbërje të Kuvendit të Kosovës. Partia ngadhënjyese në zgjedhjet e nënta të përgjithshme në Kosovë, nuk arriti të sigurojë, në dy përpjekje, shumicën parlamentare për krijimin e Qeverisë së re të vendit. U dashtë të shkohet në zgjedhje të reja. Për herë të parë u detyruam të votojmë sërish, sepse nuk u bë Qeveria e re e Kosovës pas zgjedhjeve. Dhe për herë të parë, votuam dy herë për deputetët e Kuvendit të Kosovës brenda një viti kalendarik. Sidoqoftë, në atë 28 dhjetorin e vitit të kaluar (i cili duket një shekull larg nga perspektiva e sotme politike), ia mësymë Qendrave të votimit me gjysmë hidhërim e gjysmë shpresë që përvoja e hidhur politike ka dhënë mësimin e duhur dhe që pas këtyre zgjedhjeve, do të përballemi me një situatë shumë më pozitive kur bëhet fjalë për krijimin e pushtetit qendror. Për më shumë, u duk që ky përfundim është i qëndrueshëm, në vijim të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare. Lëvizja ‘Vetëvendosje’ mori 57 mandate në Kuvend. Me këtë rezultat, dihej që nuk do të ketë pengesa për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit dhe të Qeverisë. Por nuk pritej që Kuvendi i Kosovës do të dështojë në ndërmarrjen e gjetjes/ zgjedhjes së Presidentit/ Presidentes së re të Kosovës, pas skadimit të mandatit të Presidentes së atëhershme. Thjeshtë, diçka e tillë dukej e paimagjinueshme. Por ja që ndodhi. Për herë të parë në këtë historikun e demokracisë parlamentare të Kosovës, u shënua dështimi për ta zgjedhur Presidentin e Kosovës. Dhe për të parën herë, do të kemi zgjedhje të reja të përgjithshme në Kosovë, në vijim të këtij dështimi të Kuvendit të Kosovës. Më në fund, kur të përmblidhen të gjitha këto lajme të këqija politike që nisin të rrjedhin që nga dimri i vitit të kaluar, do të kuptojmë që për herë të parë do të na ndodhë që brenda 16 muajve (as një vit e gjysmë pra), të votojmë, nëse natyrisht do të kemi vullnet (gjë që është nën pikëpyetje të madhe), për të tretën herë për përbërjen e Kuvendit të Kosovës. Shumë, tepër shumë për Kosovën. Që gjëra të marrin një kthesë pozitive në politikën kosovare, do të duhet edhe diçka tjetër të ndodhë për herë të parë në këtë politikën e Kosovës, sepse nuk ka rezultat zgjedhor që garanton tejkalimin e të gjitha pengesave të cilat i pamë nga viti 2025 e tutje. Pra, do të duhet të arrihet marrëveshja politike për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Nga pikëshikimi i sotëm, kjo duket mrekulli. Apo jo.