Të dënuarit e Speciales, burgun mund ta vuajnë edhe në Belgjikë NULL NULL 13.06.2025 15:11 13.06.2025 15:11 Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe Mbretëria e Belgjikës, të enjten (12 qershor) nënshkruan zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve. Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DhSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DhSK-ja dhe miratimit të Belgjikës. Siç thuhet në njoftimin e kësaj gjykate, kryetarja e saj Ekaterina Trendafilova nënvizoi se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DhSK-së për të kryer mandatin e vet”, citohet të ketë thënë Trendafilova. Ajo thuhet se ka ftuar edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DhSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme. Ndërkaq, Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës, Zherar Div, citohet të ketë deklaruar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, “dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DhSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi”. “Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës”, citohet të ketë thënë Div. Marrëveshjen e nënshkruan Administratorja e DhSK-së, Fidelma Donlon, dhe Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare, në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës në Bruksel. Në njoftim u tha se në pajtim me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Gjykimi Special Më 14 korrik, vendimi i madh për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin (VIDEO) 7 days