Tahiri (AAK): Vizioni i qeverisë Kurti për ekonominë e ka kthyer prapa Kosovën (VIDEO) NULL NULL 17.12.2022 14:10 17.12.2022 14:10 Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerëson se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm sa i përket zhvillimit ekonomik. “Shtetin e bën ekonomia, pasi punësimi është tek sektori privat dhe nëse flasim ku është ekonomia sot, them se raporti i qeverisë është armiqësor”, është shprehur Tahiri në emisionin e ekonomisë, Portofol, në Klan Kosova FM. Për miratimin e buxhetit në fundjavë, Tahiri, ka theksuar se ekzekutivi ka tendencë që ta keqpërdorë. “Buxheti është 3.2 miliardë, një numër i madh për investime kapitale. Ka tendencë që ta shfrytëzojë politikisht. Qeveria deshi që paratë e një komune t’i marrë dhe t’i shpërndajë nëpër komunat tjera, por kjo fatmirësisht u ndal”. “Ndarjet buxhetore për vlerësimin tim janë shumë gabim. Kurti dhe qeveria e tij janë shumë të mirë për të diskutuar mirë, mirëpo ligji është i mirë vetëm kur zbatohet e jo vetëm kur lexohet. Qeveria Kurti është qeveria që ka më së shumti importe nga Serbia dhe kjo po i dëmton rëndë produktet vendore. Këto importe kanë dëmtuar shumë sektorë”. “Premtimet dhe platforma e zotëri Kurtit ka rënë fare, nisur nga dialogu, teksa në ekonomi nuk kanë pasur vizion fare ose thënë ndryshe vizioni i tyre i ekonomisë e ka kthyer mbrapa Kosovën”. Tahiri ka përmendur edhe Ligjin e Pagave që ka thënë se mangësia e tij është se nuk dihet se çfarë pagash do të ketë dhe se cila do të jetë rritja.