Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Supremja vërteton dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën

NULL NULL
27.02.2026 13:45

Gjykata Supreme e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit.

18-vjeçarja, më 22 gusht 2021, u rrah për vdekje në banesën e Dardan Krivaqës në Ferizaj, me të cilin po bashkëjetonte për rreth tre muaj, raporton Klankosova.tv.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa janë vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe ai i Gjykatës së Apelit.

Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari D.K. ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm, dënim që ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë.

Duke shqyrtuar pretendimet e mbrojtjes, Kolegji i Gjykatës Supreme ka konstatuar se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, si dhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova, sipas Gjykatës, është konstatuar se viktima M.O. ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit.

Po ashtu, sipas Gjykatës Supreme, është vlerësuar edhe raporti i autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Gjykata ka konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, çka, sipas saj, mbështet kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar edhe pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se ato nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Sipas raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

“Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka konstatuar se dënimi me burgim të përjetshëm, i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga ajo e shkallës së dytë, është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj”. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme