Superliga e Kosovës rikthehet sot me dy duele interesante të javës së nëntë NULL NULL 18.10.2025 10:12 18.10.2025 10:12 Pas pushimit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me dy përballje të rëndësishme që pritet të sjellin lëvizje në tabelën e klasifikimit. Në Gjilan, Drita pret Malishevën në një ndeshje mes dy skuadrave që ndahen vetëm nga një pikë. Drita, e renditur e katërta me 11 pikë, synon të rikthehet te fitorja për të mos humbur kontaktin me kreun, ndërsa Malisheva, me 10 pikë, kërkon një rezultat pozitiv jashtë fushe për t’u afruar me zonën evropiane. Në duelin tjetër të ditës, Prishtina e Re përballet me Gjilanin në një ndeshje vendimtare për mbijetesë. Të dyja skuadrat kanë nga 7 pikë pas tetë xhirove dhe fitorja sot për të dyja skuadrat është jetike për t’u larguar nga fundi i tabelës dhe për të rikthyer besimin për pjesën e mbetur të kampionatit. Pas tetë javësh, renditja kryesohet nga Prishtina me 19 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 15 dhe Dukagjini me 14. Më pas vijnë Drita dhe Drenica me nga 11 pikë, Malisheva me 10, Llapi dhe Ferizaj me nga 9, ndërsa në fund renditen Prishtina e Re dhe Gjilani me nga 7 pikë. Dy ndeshjet e sotme mund t’i ndiqni në kanalet sportive të platformës televizive Artmotion me fillim nga ora 13:00. /Klankosova.tv