Stomatologët jashtë konkursit të ri për punësim (VIDEO) NULL NULL nga Arbreshë Uka 05.12.2020 20:44 nga Arbreshë Uka 05.12.2020 20:44 Për specialistët e stomatologjisë nuk po gjendet dot vend në sektorin publik. Madje këta nuk u përfshin as në Konkursin e fundit prej 150 vende të punës për Specialist të ndryshëm në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. ”Ne jemi diskriminuar në çdo konkurs, specialistët në profilet e stomatologjisë nuk janë përfshirë as në këtë konkurs, as në atë për Inspektoriat dhe as në luftën për pandemi. Diku rreth 140-160 specialistë janë të papunë, jo të gjithë kanë mundësi me hapë ordinanca private”, deklaroi Mirjeta Berisha-Dobraj, udhëheqëse e Grupit të Specialistëve të Stomatologëve të Papunë. Ndonëse mospërfshirja e këtyre në konkursin e fundit në SHSKUK, sipas kreut të këtij institucioni Valbon Krasniqi u bë sipas nevojës që ka Shërbimi Spitalor. Megjithatë kreu i Shëndetësisë Armend Zemaj, premtoi se do e bëjë sistemimin e tyre. Kurse nga Oda e Stomatologëve u bë me dije se është një numër jo edhe i vogël i specialistëve që profesionin nuk e ushtrojnë fare. ”Sipas të dhënave që i kemi dhe kontakteve që i kemi me grupin e specialistëve të papunë, kanë qenë pesëdhjetë e një stomatologë që kanë deklaruar që nuk punojnë fare, që do të thotë as në sektorin privat dhe as në atë publik”, tregoi Blerim Kamberi, kryetar i Odës së Stomatologëve. Por e gjithë kjo hallakamë del të jetë bërë si pasojë e kundërthënieve ndërmjet Ligjit për Shëndetësi dhe Udhëzimit Administrativ të Kujdesit Primar. Kjo ngase sipas udhëzimit që është në fuqi, në kujdesin parësor kanë të drejtë të aplikojnë dhe të punësohen vetëm stomatologët e përgjithshëm, por jo edhe specialistët, përjashtim me ndryshimet e fundit që lejohen të punësohen specialistët e Pedodoncisë apo stomatologët për fëmijë. E i vetmi vend i punës këtyre specialistëve iu mbetet Qendra Klinika Stomatologjike, por që edhe kjo është stërngarkuar. Ndërsa sipas Ligjit për Shëndetësi çdo specialist duhet të sistemohet brenda sistemit shëndetësor jo më shumë se 3 vjet pas përfundimit të shkollimit specialistik.