Sot starton US Open 2025 në tenis NULL NULL 24.08.2025 21:31 24.08.2025 21:31 Emocione, yje dhe ndeshje spektakolare ju presin në fushat e Flushing Meadows. Për 15 ditë me radhë, në New York do të mbizotërojë atmosfera elektrizuese e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë. Turneu Grand Slam, i fundit për këtë vit në kalendarin ndërkombëtar të tenisit, nis sot dhe pritet të sjellë spektakël, emocione dhe surpriza në çdo raund. Për dy javë me radhë, sytë e dashamirësve të sportit do të jenë të përqendruar në qendrën Billie Jean King National Tennis Center, ku do të garojnë emrat më të mëdhenj të tenisit botëror, si dhe talentet e reja që synojnë të shkëlqejnë në skenën e madhe. Në konkurrencën e meshkujve, vëmendja është e përqendruar te kampioni aktual, Jannik Sinner dhe te rivali i tij, Carlos Alcaraz si dy favoritët kryesor për këtë trofe, derisa nga ana tjetër, lojtar si Djokoviç, Zverev, Draper e Shelton kërkojnë t’i sfidojnë dy liderët e ATP-së. Në konkurrencën e femrave, Aryna Sabalenka, Iga Świątek dhe Coco Gauff janë ndër pretendentet kryesore, duke premtuar duele të zjarrta dhe të paparashikueshme. Të gjitha ndeshjet më interesante do të transmetohen në platformën Artmotion, përmes kanalave Eurosport 1 & 2./Klankosova.tv