Sot shpallet vendimi për Dodikun në gjykatën e Bosnjës NULL NULL 26.02.2025 10:44 26.02.2025 10:44 Milorad Dodik Gjykata e Bosnje-Hercegovinës do të shpallë sot aktgjykimin për presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti, Millosh Llukiq, të cilët akuzohen për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt. Pas një procesi gjyqësor, që ka zgjatur më shumë se një vit, Gjykata e Bosnjës do të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës dhe mbrojtja do të kenë të drejtë ankese. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë. Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska. Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike. Më 19 shkurt, Prokuroria e Bosnjës kërkoi nga Gjykata të shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim për Dodikun dhe t’i ndalojë veprimtarinë politike për dhjetë vjet. Po të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Llukiqin.