Sot hapet Panairi i Librit në Ulqin NULL NULL 26.07.2015 08:26 26.07.2015 08:26 Nis të dielën në Ulqin Panairi i 15-të i Librit “Ulqini 2015”. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi dhe pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. I ftuar nderi i Panairit të Librit këtë vit, shkrimtari Fatos Kongoli. Instituti i Librit dhe i Promocionit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit organizojnë në qytetin e Ulqinit, Mali i Zi, Panairin e 15-të të Librit “Ulqini 2015”, nga 26 korriku deri 4 gusht 2015. Ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, z. Fatmir Gjeka. Panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit, të cilët e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Do të jenë ata që përfaqësohen vazhdimisht në veprimtari të tilla me karakter kulturor kombëtar, që vijnë nga e gjithë hapësira shqiptare e rajonit tonë dhe që janë nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të botimeve shqiptare pas viteve ‘90. Gati 40 botues do të jenë prezentë gjatë ditëve të Panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Në Panairin e Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash. Para së gjithash, letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj. etj. për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e huaj. Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e mëparshme shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviç, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiç, Sreten Asanovië, Aleksandër Stipçeviç, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dyja vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviç i Malit të Zi. I ftuar nderi i Panairit të Librit këtë vit, shkrimtari i mirënjohur Fatos Kongoli. Në ceremoninë e hapjes do të na nderojnë me praninë dhe fjalën e tyre kryetari i Kuvendit të Shqipërisë , Ilir Meta, ministrja e Kulturës së Shqipërisë , Mirela Kumbaro, si edhe kryetari i Kuvendit të Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Kulturës të Malit të Zi – Pavle Goranoviç dhe ministri i Kulturës të Republikës së Kosovës, Kujtim Shala. Mbrëmja e ditës së dytë të Panairit do t’i kushtohet veprës së shkrimtarëve Fatos Kongoli dhe Gjergj Gjokaj, shkruan Mapo.al. Botuesit pjesëmarrës Toena – Tiranë; Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë; Helga Secret – Tiranë; Fan Noli – Tiranë; UET-Tiranë; Albas – Tiranë, Akademia e Shkencave – Tiranë; Onufri – Tiranë; Papirus – Tiranë; Uegen – Tiranë; Botart – Tiranë; Librari Elezi – Tiranë; Labova – Tiranë; Konica – Tiranë; Ada – Tiranë; Çamëria – Tiranë; Bota Shqiptare – Tiranë; Mesazhi – Tiranë; Logos A – Shkup; Thesari – Gostivar; Inter-Rina – Shkup; Lebbejke -Tetovë; ASR – Tetovë; Nun – Shkup; Dëshmia – Shkup; Sira – Prishtinë; Gama – Prishtinë; Vatra – Shkup; Faik Konica – Prishtinë; Ibas – Prishtinë etj.