Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Skuadrat kosovare mësojnë kundërshtarët e radhës në Conference League

NULL NULL
20.07.2026 17:48

Katër skuadra kosovare do të vazhdojnë garën në kualifikimet për garat evropiane, ku këtë edicion do të kërkojnë sukses në Conference League.

Kampionia e Kosovës, Drita, pas eliminimit nga raundi i parë kualifikues në Champions League nga kampioni i Lituanisë, Kauno Zalgiris, do ta vazhdojë rrugëtimin evropian në Ligën e Konferencës.

Skuadra nga Gjilani do të përballet në raundin e dytë me Florianën e Maltës, transmeton Klankosova.tv.

Ndeshjen e parë Drita do ta zhvillojë më 21 korrik në udhëtim, ndërsa sfidën e kthimit një javë më vonë në Prishtinë.

Në rast kualifikimi, Drita do të takohet me Tre Fiorin e San Marinos dhe do të ketë mundësinë të arrijë në “play-off” të Conference League për të tretin vit radhazi.

Edhe Dukagjini do të debutojë në këtë fazë të garës, pasi si fitues i Kupës së Kosovës e ka siguruar direkt pjesëmarrjen në raundin e dytë kualifikues.

Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi do të përballet me Luganon e Zvicrës, ndeshja e parë zhvillohet më 23 korrik në udhëtim, ndërsa më 29 korrik zviceranët do të udhëtojnë në Prishtinë për sfidën e kthimit, transmeton Klankosova.tv.

Në rast kalimi tutje, Dukagjini do të luajë ndaj fituesit të përballjes mes NSI Runavik nga Ishujt Faroe dhe Koperit të Sllovenisë.

Ballkani, ndërkohë, do të vazhdojë aventurën evropiane pas eliminimit të Connah’s Quay Nomads me rezultat të përgjithshëm 3-2 në raundin e parë.

Tri herë kampioni i Kosovës do të përballet me Bohemiansin e Irlandës, ndeshjen e parë Ballkani do ta luajë më 22 korrik në udhëtim, ndërsa sfida e kthimit do të zhvillohet më 30 korrik në Prishtinë.

Nëse kalon këtë fazë, skuadra nga Suhareka do të përballet me humbësin e duelit mes Besiktasit dhe Midtjyllandit.

Ndërkohë, Malisheva ka siguruar kalimin në raundin e dytë pas një triumfi bindës ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultat të përgjithshëm 6-2.

Në fazën tjetër, Malisheva do të përballet me Hibernians të Skocisë, ndeshja e parë do të zhvillohet më 23 korrik në Kosovë, ndërsa kthimi më 30 korrik në Skoci.

Në rast kualifikimi, kundërshtari i radhës do të jetë fituesi i përballjes mes Shkëndijës dhe Bravos.

Katër klubet kosovare tashmë kanë nisur betejën për të shkruar histori në skenën evropiane dhe për të avancuar sa më shumë në garën e Ligës së Konferencës.

 

 

lajme të ngjashme