Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Shukri Gërxhaliu mes mjekëve në vijën e luftës, dokumentari në “MAT” emocionon moderatoren

NULL NULL
23.07.2026 09:56

Moderatorja e Klan Kosovës, Gonxhe Gërxhaliu, është emocionuar gjatë transmetimit Live duke diskutuar lidhur me dokumentarin e transmetuar në “MAT”, ku u sollën rrëfime për sakrificën e personelit mjekësor gjatë luftës së Kosovës.

Gjatë bisedës për dokumentarin, Gonxhja nuk i përmbajti emocionet dhe shpërtheu në lot teksa u kujtua kontributi i babait të saj, Safet Gërxhaliut dhe i shumë profesionistëve shëndetësorë që punuan në kushte të jashtëzakonshme.

Autori i dokumentarit, Vullnet Krasniqi, tha se rrëfimet e mjekëve të luftës janë histori që meritojnë të dokumentohen.

“Jemi me fat që kemi pasur doktorë, infermierë, teknikë dhe motra medicinale që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, tha Krasniqi.

Ai theksoi se dokumentari synon të sjellë në vëmendje njerëz që kanë folur më pak për përvojat e tyre, duke përfshirë mjekë dhe personel shëndetësor që kanë rrezikuar jetën për të shpëtuar të tjerët.

Ai tregoi se për dokumentarin është fokusuar te njerëz që kanë folur më pak për përvojat e tyre gjatë luftës.

“Dua të jem korrekt: ka disa dokumentarë që janë bërë për njerëz të cilët kanë kontribuar gjatë luftës duke ofruar shërbime shëndetësore për civilët dhe ushtarët. Në këtë rast jam munduar t’i gjej disa personazhe që kanë folur më pak ose janë ekspozuar më pak, për të dhënë rrëfimin e tyre”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij, janë me qindra pjesëtarë të personelit shëndetësor që kanë histori të jashtëzakonshme për të treguar.

Ai u ndal te dy zona operative, Nerodima dhe Llapi, duke rrëfyer edhe historinë e Shpellës së Topillës, ku gjatë ofensivës së vitit 1999 ishin trajtuar dhjetëra të plagosur.

Krasniqi tregoi rastin e luftëtarit të UÇK-së, Agim Bytyqi, i cili pas plagosjes në Budakovë kishte përfunduar në këtë shpellë, ku mjekët u detyruan t’ia amputonin këmbën në kushte jashtëzakonisht të vështira.

“Doktori anesteziolog, së bashku me një ekip të ngushtë ku ishin Besim Hoxha dhe Isa Haxhiu, me asistimin e Valbona Dërgutit, e kryen amputimin duke përdorur një sharrë druri”, tregoi Krasniqi.

Ai foli edhe për organizimin e stafit mjekësor në Zonën Operative të Llapit, ku sipas tij ishin improvizuar salla operative dhe ishin kryer mbi 400 operacione, shumë prej tyre në kushte të rënda.

Në dokumentar janë intervistuar edhe luftëtarë të plagosur, ndër ta edhe Rafet Llapashtica, i cili ende e mban një copë granate afër zemrës për shkak të rrezikut nga largimi i saj.

Sipas Krasniqit, sakrifica e mjekëve gjatë luftës është një histori që duhet të dokumentohet vazhdimisht.

“Nuk janë vetëm mjekët, por çdo personel shëndetësor dhe çdo qytetar që ka shndërruar shtëpinë e tij në ambulancë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre ka një histori që meriton një dokumentar në vete”, tha ai.

lajme të ngjashme