Shtetarët “ngrohen” veç me 19 gradë (VIDEO) NULL NULL nga Haris Ademi 14.09.2022 23:30 nga Haris Ademi 14.09.2022 23:30 Temperatura ideale në një zyrë gjatë dimrit preferohet të jetë nga 20 deri në 25 gradë Celsius. Por, ata që punojnë në institucionet e shtetit të Kosovës do të diskriminohen pak, të paktën sivjet, pasi iu kërkua që termometri të mos ngjitet në më shumë se 19 shkallë. Krejt kjo në shërbim të kursimit të energjisë. Pos kësaj, qeveria prezantoi, të mërkurën, edhe 18 masa të tjera për këtë qëllim. Klimat do të përdoren vetëm kur nuk ka të tjera zgjidhje e do të ndalen krejt aty ku s’ka njerëz. Një masë tjetër deri diku e çuditshme që e prezantoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është ndalja e ujit të ngrohtë, në shumë vende. Poçat standarde do të zëvendësohen me ato LED, derisa në çdo institucion do të jetë një përgjegjës për të parë nëse po zbatohen masat. Ndriçimi publik do të përdoret me kujdes, teksa nëpër autostrada do të ndalet çdo e treta llambë. Këto masa fillimisht do të vlejnë për institucione publike, teksa Komiteti Teknik Emergjent pritet të dalë edhe me listë tjetër koprracie energjetike për bizneset dhe ekonomitë familjare.