Shtëpia e Bardhë thotë se SHBA ka ndalur disa dërgesa armësh për Ukrainën NULL NULL 02.07.2025 08:57 02.07.2025 08:57 Shtetet e Bashkuara kanë ndërprerë disa dërgesa armësh për Ukrainën, ka thënë Shtëpia e Bardhë, në kohën kur lufta e Rusisë ndaj Kievit është intensifikuar. Vendimi është marrë që “të vihen në rend të parë interesat e Amerikës” pas një rishikimi të Departamentit të Mbrojtjes ndaj “përkrahjes dhe asistencës ushtarake për shtetet e tjera”, tha të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly. Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar Ukrainës ndihma ushtarake me vlerë të dhjetëra miliarda dollarëve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurtin e vitit 2022, duke i nxitur disa zyrtarë në administratën e Trumpit që të shprehin shqetësim se rezervat amerikane janë në nivel të ulët. Qeveria e Ukrainës nuk e ka komentuar njoftimin e Shtëpisë së Bardhë. Zyrtarët amerikanë nuk treguan menjëherë se cilat dërgesa armësh do t’i ndërpriten Ukrainës. Merret vesh se në mesin e armëve që janë prekur nga ky vendim janë raketat e mbrojtjes ajrore dhe municionet precize, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, transmeton Klankosova.tv. Departamenti i Mbrojtjes “vazhdon që t’i ofrojë presidentit opsione të fuqishme për ta vazhduar ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës”, tha Elbridge Colby, nënsekretar i Mbrojtjes për Politika. Ai shtoi se “Departamenti (i Mbrojtjes) në mënyrë rigoroze është duke e ekzaminuar dhe duke e përshtatur qasjen e vet ndaj arritjes së këtij objektivi, ndërkohë gjithashtu duke e ruajtur gatishmërinë e forcave amerikane për prioritetet e mbrojtjes të Administratës”. Një zyrtar amerikan tha se vendimi është i mbështetur në shqetësimet se rezervat ushtarake amerikane mund të bien në nivel shumë të ulët, raportoi televizioni “CBS News”. “Fuqia e Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara mbetet e padiskutueshme – vetëm pyeteni Iranin” – tha Kelly, duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj qendrave bërthamore të Iranit muajin e kaluar. Vendimi erdhi pak kohë pasi presidenti amerikan,Donald Trump, u takua me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në samitin e NATO-s në Holandë javën e kaluar. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.