Shqipëria U-19 fiton miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi NULL NULL 13.10.2024 18:15 13.10.2024 18:15 Shqipëria U-19 triumfoi edhe në ndeshjen e dytë miqësore ndaj Malit të Zi me rezultatin 2-0. Në stadiumin “Reshit Rusi” kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe dominuan takimin. Golat e fitores i shënuan Jordi Jaku dhe Briajan Gjyla. Kombëtarja shqiptare U-19 e nisi shumë mirë ndeshjen duke kontrolluar topin dhe duke tentuar portën kundërshtare. Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 42-të. Shqipëria mori avantazhin me Jordi Jakun. Pjesa e parë u mbyll 1-0. Fraksioni i dytë nisi me një ndryshim për kuqezinjtë. Nga loja doli Ron Hasani dhe u aktivizua Xheto Nuredini, shkruan FFSh, përcjell Klankosova.tv. Shqipëria dyfishoi rezultatin në minutën e 57-të me Briajan Gjylën. Sulmuesi kuqezi shënoi një gol të bukur dhe vulosi fitoren ndaj Malit të Zi. Deri në fundin e takimit kuqezinjtë patën sërish disa raste të mira shënimi, por pa konkretizimin e duhur. Në fund ndeshja u mbyll me triumfin e Shqipërisë 2-0 Fitorja e dytë radhazi për Kombëtaren shqiptare U-19 në testet miqësore të tetorit. Tani i gjithë fokusi i trajnerit Ahmataj dhe stafit teknik do të jetë te ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për moshën U-19, që luhen në nëntor. Shqipëria është pjesë e grupit 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën e Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”. Të gjitha ndeshjet e grupit 11 do të luhen në Shqipëri nën organizimin e Federatës së Futbollit.