SHBA: Kosova vendosi si shtet i pavarur në rastin e referendumit të Serbisë NULL NULL 4 months më parë 4 months më parë Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë, OSBE, Michael Carpenter, ka qartësuar se vendi i tij e respekton vendimin e Kosovës për të mos e lejuar votimin e serbëve në referendumin e 16 janarit. Këtë qëndrim, diplomati e bëri të ditur në Këshillin e Ministrave të OSBE-së, ku pranoi se kanë shpresuar që qeveria në Prishtinë do të vazhdonte praktikën e mëhershme që të lejojë OSBE-në t’i mbledhë votat sikur në herët tjera, kur janë organizuar zgjedhjet e Serbisë. “Le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-së për të drejtat e Kosovës, ku si shtet i pavarur dhe sovran, ajo ka të drejtë të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera në territorin e saj”, ka thënë ai, derisa deklarata e tij është shpëndarë edhe në faqen e misionit amerikan në OSBE. Carpenter tha se SHBA-ja ka shprehur keqardhje që Kosova nuk është pjesë e OSBE-së. “Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë”, tha ai. Diplomati bëri me dije se SHBA-ja inkurajon qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Sipas tij, është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal.