ShBA e BE e duan 1 shtatorin ditë normale në veri (VIDEO) NULL NULL nga Besnik Tahiri 25.08.2022 20:34 nga Besnik Tahiri 25.08.2022 20:34 Në ditën e dytë të vizitës së tyre në Kosovë, të dërguarit e posaçëm të ShBA-ve dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, shkuan në Mitrovicë. Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak aty u takuan me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe kryetarët e komunave të Mitrovicës-veri, Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut. Escobar, që të mërkurën në Prishtinë ishte me direkt dhe tha se të dyja palët kanë siguruar se më 1 shtator s’do ketë tensione, te enjten foli shkurtazi. ”Ne dëgjuam shqetësimet e kryetarëve të komunave , dhe misioni jonë vazhdon tani në Beograd. Shpresoj të jem në gjendje ta bëjë një deklaratë nga Beogradi,vonë gjatë ditës së sotshme apo nesër”, tha Escobar para gazetarëve. Më gjatë u deklarua Lajçak që foli në serbisht e anglisht. Ai thotë se ka siç i quan spekulime për procesin që po zhvillohet derisa pranon se ka disa opsione që mund të qojnë te një zgjidhje. ”Jam në mes të misionit tim dhe definitivisht nuk dua që të flas për opsionet që janë në tavolinë, sepse kjo do të ishte e dëmshme për suksesin e misionit. Sa i përket asaj se a janë këto opsione të mira apo të këqija mendoj se opsionet e mira janë ato që ruajnë paqen dhe atmosferën normale në terren. S’ka të bëjë për fitues dhe humbës, por e gjitha ka të bëjë vetëm për njerëzit që jetojnë këtu”, theksoi diplomati sllovak. Lajçak shtoi se bashkësia ndërkombëtare s’do që të sheh skena sikur ato më 31 korrik kur disa serbë lokalë vendosen barrikada në rrugët që dërgojnë në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak. Ai, pohoi se 1 shtatorin e duan ditë normale dhe se po punojnë fort që mos të ketë barrikada e shmangur përshkallëzimin. ”Mos kërkoni nga unë që të komentoj deklaratat individuale. Ne bashkë me miqtë tanë amerikan po bëjmë gjithçka që të mos ketë barrikada , trazira, e lëndime. Pra që njerëzit të munden të jetojnë të qetë”. I dërguari i BE-së, sqaroi se përkundër krejt situatës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar që të paktën një herë në muaj të takohen në Bruksel sepse kanë shumë çështje për t’i diskutuar. Pas kësaj paraqitjeje dyshja euro-amerikane u nisën për në Serbi.