Serbët e Shtërpcës, të frustruar pas marrjes së kamerave (VIDEO) NULL NULL nga Qendresa Tershana 08.07.2022 20:52 nga Qendresa Tershana 08.07.2022 20:52 Lëvizjet e qytetarëve në Shtërpcë, të premten, nuk i panë zyrtarët serbë në Beograd. Kamerat që i vëzhgonin këta, që ishin vendosur nga strukturat paralele serbe, i konfiskoi Policia e Kosovës, të enjten, bashkë me shumë dokumente të tjera të këtyre strukturave. Kjo mbase ndikoi që zyra e komunës paralele të jetë e mbyllur, të paktën kur e vizitoi Klan Kosova. Ani se shenjat tregonin që shiritat që i vendosi policia ishin larguar. Ajo që ndodhi në Shtërpcë nuk iu pëlqeu aspak serbëve. Bile, thonë se aksioni i policisë ishte krejtësisht i panevojshëm. Këta veprimin e policisë, të urdhëruar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, e quajnë ilegal. Veç kamerave, këta po i qajnë edhe krejt dokumentet që i morën institucionet e Kosovës. “Të gjitha dokumentet për studentët dhe fëmijët nxirreshin këtu, pa pasur nevojë për të shkuar në Mitrovicë. Por, tash ku t’i nxjerrim? Ku të merren certifikatat e kurorëzimit? Si do të mund të kurorëzohen qytetarët?”, u shpreh njëri nga ta. Serbët e atjeshëm pajtohen me zyrtarët e Beogradit, të cilët deklaruan se operacioni i policisë u bë për t’i sulmuar këta. Policia zhvilloi këtë aksion pas dyshimeve nga prokuroria se personat e arrestuar për rastin “Brezovica”, muaj më parë, përkatësisht ish-kryetari i komunës, Bratisllav Nikoliq, që është edhe koordinator i strukturave paralele që veprojnë në Shtërpcë, monitoroi kamerat e vendosura në vende publike dhe të dhënat i dërgonte në Serbi.