Sekiraqa në Hagë trondit familjen e Triumf Rizës NULL NULL 01.11.2024 20:13 01.11.2024 20:13 Enver Sekiraqa I dënuar për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007, Enver Sekiraqa ishte arratisur nga burgu në maj të këtij viti. Por, ai që planifikoi vrasjen e tij, nuk po përballet me vuajtjet e burgut, ani se u dënua që në të të rrijë 25 vjet, raporton Klan Kosova. Në qeli jo se jo, por Enver Sekiraqa, edhe iku krejt nga Kosova, e siç u mor vesh në seancën e së enjtes në Hagë, dëshmoi në gjykimin e katërshes së UÇK-së, lidhur me mbajtjen e tij gjatë luftës në një qendër ndalimi në Majac. Shefqet Riza, babai i policit të vrarë, Triumf Riza, thotë se e dinte që Sekiraqa u strehua në Serbi, por pas dëshmisë në Hagë, ka dilema nëse vërtetë kishte ikur, apo ishte marrë nga autoritetet. E lajmi se i arratisuri nga Kosova dha dëshmi në Hagë, për Shefqetin është sa e pakuptimtë aq edhe e çuditshme. Ky pretendon se Sekiraqa i kishte dhunuar nxënëset shqiptare gjatë luftës dhe ishte mik me Arkanin famëkeq, andaj ishte ndaluar nga UÇK-ja. E këto lidhje thotë se i vazhdoi edhe në liri me pjesëtarët e “Rojave të Urës”, e vëllezërit Vesellinoviq. Për këto akuza e as konfirmimin nëse Sekiraqa dëshmoi në Hagë, Klan Kosova nuk arriti ta marrë një përgjigje nga avokati i tij, Besnik Berisha, meqë nuk iu përgjigj thirrjeve as mesazheve. Ky kishte deklaruar 5 muaj më parë se klienti i tij nuk ka ikur, por gjendet në një spital jashtë Kosovës duke u trajtuar për disa probleme shëndetësore. Asnjë fjalë për rastin nuk e thanë as nga EULEX-i e as nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Kjo e fundit udhëzoi televizionin që të marrë vetëm informacionet publike që i publikohen në faqen zyrtare. /Klankosova.tv