Seanca e sotme e Kuvendit përfundon pas mbi 10 orëve NULL NULL 02.12.2024 23:33 02.12.2024 23:33 Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku u shqyrtua Projekt-Rezoluta për katër vjet qeverisje, 2 dhjetor 2024. Të hënën u mbajt seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku u shqyrtua Projekt-Rezoluta për katër vjet qeverisje, të cilën e arsyetoi kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Seanca e cila zgjati mbi 10 orë u kryesua nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, raporton Klankosova.tv. Tahiri i cili cilësoi qeverisjen aktuale si një listë dëshirash dhe pa realizime konkrete, e akuzoi atë për një sërë skandalesh që sipas tij e karakterizojnë ekzekutivin. Ai përmendi disa “mangësi” në realizimin e premtimeve qeveritare, si “blerja e energjisë, falja e borxhit të ujit, problemet në RTK, sanksionet e Bashkimit Evropian, dështimin e realizimit të projekteve për ndihmën sociale dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke përfshirë mungesën e çerdheve dhe sigurimit shëndetësor, sigurimin e banesave për qiftet e reja etj”. Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij potencoi ato që ai i cilëson si arritjet të shumta të qeverisë në këtë periudhë, duke i përmendur kronologjikisht ato. Ai tha se qeveria ka bërë ndryshime të rëndësishme që kanë prekur drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe kanë krijuar mundësi për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Shefi i ekzekutivit përmendi disa nga arritjet kryesore të ekonomisë, duke përfshirë rritjen prej 6.36% të Produktit të Brendshëm Vendor, uljen e borxhit publik dhe papunësisë, si dhe një rritje të punësimit me 80,000 qytetarë të tjerë. Ai gjithashtu theksoi rritjen e shpenzimeve kapitale, krijimin e mundësive për punësimin e grave, rritjen e pagës minimale në 350 euro dhe zhvillimin e sektorit privat. “Shpenzimet kapitale janë rritur krahasuar me vitin paraprak, ndërsa 14,000 të rinj janë punësuar përmes platformës Superpuna”. Për sa i përket politikës së jashtme, Kurti theksoi avancimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Seanca plenare vazhdoi me diskutime të shumta nga deputetët, të cilët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me punën e qeverisë gjatë këtij mandati. Deputetët, në varësi të përcaktimeve politike, në pozitë apo në opozitë, vlerësuan lart qeverisjen aktuale, përkatësisht, e akuzuan atë për dështime. Në përmbyllje të seancës, iniciuesi i saj, deputeti Besnik Tahiri tha se gjatë kësaj seance u është bërë një mbrojtje e paprecedentë aferave qeveritare dhe se po ashtu, sipas tij, pati një sulm të paprecedentë ndaj sistemit të drejtësisë. Ai shtoi se kishte ikje të ballafaqimit për secilën temë që u ngrit në debat. Në mungesë të kuorumit kryesuesja Bogujevci tha se projektrezoluta nuk mund të hidhet në votim dhe për rrjedhojë votimi i saj do të bëhet në një nga seancat e radhës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kosova thyen rekord botëror, bëhet shteti i parë në botë me 36 seanca kuvendi të dështuara (VIDEO) 14 orë më parë
Kosova Kuvendi ende pa Zot shtëpie, kush e ka fajin? – Mimoza Kusari-Lila sot në “DPT te Fidani” 19 orë më parë