Sali e Feriz Krasniqi gjallë në odën e Lul Llapit – koleksioni i kasetofonëve dhe shiritave (VIDEO) NULL NULL 21.10.2025 10:40 21.10.2025 10:40 Nuk është vetëm natyra ajo që i jep njeriut qetësi. Ka njerëz që rehatinë e shpirtit e gjejnë edhe në një odë të thjeshtë, si kjo e Lul Llapit në fshatin Godishnjak. Qetësia shpirtërore është edhe kur lëshon një shirit magnetofoni me zërin dhe tingujt e rapsodëve si Sali e Feriz Krasniqi e të tjerëve, ikona të folklorit tonë kombëtar. Shumica, ose pothuajse të gjithë, këta shahira me nam tashmë kanë ndërruar jetë. Jeta dhe krijimtaria e tyre sot ruhen në shirita magnetofoni që kanë mbetur në familje të ndryshme, si kjo e Lul Llapit. ”Më së shumti kam këngë të Sali e Ferizit dhe Bijtë e Sefë Mleqanit”, thotë Luli. Ky njeri ka një koleksion të rrallë e të madh të kasetofonëve dhe gramafonëve të dikurshëm, të cilët duken sikur kanë dalë nga fabrika dje. ”I kam shumë – mbi 30 sosh. Një kasetofon me shirit shkon edhe deri në 5000 euro”, tregon Luli. Zëri i këtyre rapsodëve sot ruhet më shumë nga njerëzit e thjeshtë sesa nga vetë shteti – një pasuri që duhet mbrojtur me fanatizëm. Por edhe ata që merren me mbledhjen e thesarit të muzikës sonë popullore po pakësohen çdo ditë e më shumë. ”Një incizim origjinal i Sali e Ferizit në shirit shkon deri në 1000 euro”, shprehet Luli, i cili i ruan me xhelozi këto relikte muzikore. Oda e Lul Llapit ishte djegur gjatë luftës, por fatmirësisht diçka kishte shpëtuar – mjaftueshëm për ta shtyrë Lulin të nisë gjithçka nga e para dhe të mos heqë dorë kurrë nga pasioni për muzikën autoktone. Këtë histori të jashtëzakonshme mund ta ndiqni në episodin e radhës të emisionit Krejt Kapak me Milot Hasimja, në Klan Kosova.