Rritja masive e dominimit të vajzave përfaqësuese të Kosovës në Olimpiadë NULL NULL 31.07.2024 14:05 31.07.2024 14:05 Tetë vjet më parë, në Rio de Janiero të Brazilit, Kosova përfaqësohej në Lojëra Olimpike me shtatë garues, katër vajza e tre djem. Atje shkëlqeu Majlinda Kelmendi, duke u kurorëzuar me titullin e mbretëreshes në xhudo, me medaljen e artë. Katër sportistë më shumë vajtën në Japoni. Shteti ynë prezantohej në Tokyo nga pesë djem e gjashtë vajza. Dy nga to u stolisën me medalje kulminante. Distria Krasniqi e Nora Gjakova përsëritën suksesin e Kelmendit, duke “gllabëruar” të artat. Këtë edicion të Olimpiadës 2024 në Paris, pjesa dërrmuese e sportistëve përfaqësues janë vajza. Shtatë sosh krahas dy djemve. Xhudistët kryesojnë në listë. Andaj, një rrugë-kërkim për të gjetur një shpjegim mbi këtë dominim është pikërisht një hulumtim mbi zhvillimin e këtij sporti në Kosovë. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpk të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, na e jep së paku një hamendje se pse ekziston ky dallim, që për më tepër ka shkuar duke u rritur deri në këtë masë. Çfarë treguesi është ky dominim, 7:2? “Për të ndërtuar një sportist kulminant është një rrugë e gjatë, shumë e vështirë dhe e mundimshme. Duhet sakrificë, përkushtim, qëndrueshmëri, djersë, e investim të gjatë financiar e fizik. Nuk mendoj se ka ndonjë tregues të saktë përmes të cilit do të mund ta shpjegonim prerazi fenomenin e dominimit të vajzave në raport me djemtë sportistë që përfaqësojnë Kosovën në LO. Shasivar Haxhijaj, ish-sekretar i KOK-ut Pse mendoni që ka ardhur ky dallim nga bilanci 6:5 i vajzave që ka qenë më herët? Një prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në këtë proporcion në favor të femrave pak a shumë lidhet me ekipin e xhudos, konkretisht me njërin prej trajnerëve më të mirë të botës, Driton Kuka. Ai për dekada e ka vazhduar një punë me përkushtim për të ndërtuar një ekip elitar ku kanë dominuar gjinia femërore dhe kjo vazhdimisht ka ndikuar në këtë proporcion. Xhudo në vazhdimësi ka arritur rezultate kulminante me sportistet femra, përjashto këtu Akil Gjakovën dhe disa sportistë meshkuj që po vijnë dita ditës në shprehje. Që nga pjesëmarrja e parë e Kosovës në LO Rio 2016, xhudo e ka bërë dallimin në këtë përfaqësim, ngase kishte dy sportiste me normë olimpike Majlindën dhe Norën. E po ashtu dallimin më të madh në këtë përfaqësim e bëri ne LO Tokio 2020, ku xhudo i kishte 5 norma olimpike, prej tyre 4 vajza e një djalë dhe po vazhdon edhe në Paris 2024 ku sërish nga 5 norma në xhudo 4 janë vajza dhe një djalë, si dhe edhe norma e parë olimpike e Donjeta Sadikut. Kur jemi te sportistet femra një ndikim te jashtëzakonshëm e kanë edhe rezultatet e sukseset e heroinës sonë Majlinda Kelmendi. Pra sukseset e Majlindës ishin një motivim dhe shtytje e madhe për vajzat tjera të xhudos por edhe të sporteve tjera që të synojnë rezultate kulminante, çka po tregon se ka ndikuar shumë në këtë aspekt. Ndërsa tek pjesa e përfaqësimit të sportistëve me ftesa, zakonisht përmbushet kriteri i universalitetit kryesisht te sporti i notit ku ftohet një vajzë dhe një djalë, njejtë në Atletikë dhe ndonjëherë edhe në shenjëtari e në çiklizëm. Bilanci i përfaqësuesëve të Kosovës në Olimpiadën e Tokios kishte qenë 6:5 në të mirë të vajzave Prisni një përsëritje suksesi në Paris? Për LO Paris 2024 Kosova ka potencial të madh që të kthehet me medalje olimpike dhe të vazhdojë traditën e mirë të nisur që nga Rio 2016, ngase i ka gjashtë norma olimpike. Unë nuk e di vetëm se sa medalje do t’i fitojë Kosova dhe nuk e di se çfarë ngjyre do të kenë medaljet, por se do të kthehet me medalje nuk ka asnjë dilemë. A janë xhudistët kosovarë po aq premtues sa tre vjet më parë? Sa u përket xhudistëve mendoj se janë jashtëzakonisht të përgatitur e po ashtu edhe boksierja Donjeta Sadiku dhe uroj që Kosova të arrijë rezultate sa më të mira e të kthehet me sa më shumë medalje nga Lojërat Olimpike Paris 2024. (Intervista është zhvilluar dy ditë para nisjes së lojërave olimpike) Dy nga xhudistet përfaqësuese të Kosovës në Olimpiadën e Parisit, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi