Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Relativitet duartrokitjesh

NULL NULL
06.12.2017 23:40

Ti flet plot dy orë rresht. Flet 3 ose 4 herë në javë. Flet plot dy orë me pasionin që t’i mbledh djersët në ije edhe në dimër, po nuk ndërpritesh nga duartrokitje. Vetëm nga pyetje a mbase nga reflektime.

Ti flet plot 3 muaj kësisoj. Ndonjëherë të ndërpresin buzagazet e tyre. Ndonjëherë ti e humb fillin ngaqë të tërheq vëmendjen ndonjë vështrim admirues apo të shqetëson ndonjë vështrim dyshues. Dhe ti flet. Ke një mikrofon përpara, i njëjtë me atë të të tjerave foltore të tua, por kumtet s’janë të njëjta e madje edhe gjuha s’është po ajo.

Ti mbërrin në fund të të folmeve (ligjërata po i quajmë). Dhe mbështetesh pas tabelës e i sheh të gjithë. Të dhemb që duhet t’i lesh befas. U thua: “Mirë pra, unë jam e kënaqur nga ju. Keni përballuar gjithë semestrit një ritëm të fortë pune. Nëse mbani të njëjtin ritëm edhe kur të studioni për provimin e Sociolinguistikës, ju siguroj se ka me qenë një provim i bukur!”.

Ti kthen shpinën për të mbledhur librat e fletët e tua mbi katedër, dhe ashtu e aty të gjen e vetmja duartrokitje pas plot 3 muajsh ligjërimi. Një duartrokitje e gjatë, e butë, e plotë, e 300 e ca palë duarve. Që iu binden 300 e ca mendjeve djemsh e vajzash, të cilët ti deshe shumë e shumë t’i rrisje për tre muaj që t’u besuan ty.

Ti kthehesh e i sheh e i sheh e i sheh. Ata vijojnë të duartrokasin në shenjë falënderimi. Pamjen nuk e ke dhe aq të kthjellët se, siç u thua edhe atyre “sociolinguistët, ndryshe nga gramatikanët, qëllon të përloten”.

Ti ke provuar disa lloj duartrokitjesh. Ndaj ti je e besueshme tani kur thua se një duartrokitje e vetme e studentëve të tu vlen sa gjithë duartrokitjet bashkë që ke marrë në vitet kur s’i kishe ata. Një duartrokitje e vetme e studentëve të tu ty të rrit e të rrit e të rrit e ty nuk te nxe më vetja dhe ah sa mirë që nuk të nxe.

Kush ka studentë, ka jetë! /Ora News

lajme të ngjashme