Rama merr vendim për themelimin e zyrës koordinuese për diasporën në Prishtinë NULL NULL 02.08.2022 22:16 02.08.2022 22:16 Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se ka marrë vendim për themelimin e zyrës koordinuese për diasporën në Prishtinë. Ai këtë e tregoi përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social, Facebook, duke thënë se rrugëtimi i tij lidhet ngushtë me jetesën, edukimin dhe arritjet e secilit mërgimtar, përcjell Klankosova.tv. “Sot, më 2 gusht, pikërisht në ditën e Diasporës, mora vendimin për themelimin e zyrës koordinuese për Diasporën në kuadër të Kryeqytetit.Hapja e zyrës koordinuese për Diasporën në nivel lokal ishte nevojë dhe kërkesë e kahershme, andaj sot ne po përmbushim edhe një nga premtimet tona”, ka shkruar Rama. Rama u shpreh se kjo zyrë koordinuese, e cila sipas tij do të funksionalizohet shumë shpejt, në vete do të ngërthejë këto aktivitete : 3.1. Organizimi i ngjarjeve që synojnë promovimin e partneriteteve të reja biznesore, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të huaja nga diaspora në Kryeqytet. I përgjigjet pyetjeve të diasporës lidhur me zhvillimin e biznesit dhe investimeve te tyre në Prishtinë; 3.2. Ofrimi i këshillave në lehtësim të procedurave administrative dhe shërbimeve të dhëna nga Komuna, veçanërisht gjatë fluksit të madh të vizitorëve nga diaspora gjatë sezonit të pushimeve; 3.3. Zhvillimi dhe shpërndarja periodike e përmbajtjeve të rëndësishme informative me rëndësi për diasporën lidhur me zhvillimet në Kryeqytet, me theks të veçantë në çështjet ekonomike por edhe kulturore; 3.4. Zhvillimi i një mekanizmi për të mundësuar transferimin e njohurive dhe aftësive nga profesionistët e diasporës në departamente të ndryshme komunale (mund të ketë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim si trajnime, mentorime, seminare, vlerësime të projekteve, lehtësim i lidhjeve me institucionet, organizatat përkatëse. jashtë vendit); 3.5. Vendos në shfrytëzim marrëdhëniet dhe ndikimin e pjesëtarëve të diasporës në vendet e tyre rezidente, për të promovuar turizmin, produktet vendore dhe sektorë të tjerë ekonomik me interes për Kryeqytetin. Pjesëtarët e diasporës mund ta luajnë lehtësisht rolin e ambasadorit të Komunave në fusha të ndryshme në vendet rezidente; 3.6. Krijimi i databazës përfshirëse të pjesëtarëve te Diasporës nga Kryeqyteti; 3.7. Inicimi i krijimit të platformave filantropike në Diasporë, me qëllim të ofrimit të mbështetjes financiare në kauzat me interes të Kryeqytetit. Diaspora jonë, paraqet elementin më fisnik e cila gjithmonë mban lidhjen me atdheun, dhe për kontributin tuaj të vazhdueshëm jemi përjetë mirënjohës!