Qeveria Kurti jep mbi 300 mln € për kontrata njëburimore, Prokuroria Speciale po i heton (VIDEO) NULL NULL 24.12.2025 19:20 24.12.2025 19:20 Afër 300 milionë euro janë ndarë për kontrata njëburimore në Kosovë, nga 22 marsi 2021 deri më 10 korrik 2025. Burime të Kiks Kosova kanë bërë të ditur se në total, gjatë kësaj periudhe janë lidhur 2,550 kontrata pa njoftim publik. Nga këto kontrata, burimet Kiksit thanë se 1,544 janë kontrata të reja, që kapin vlerën e 268 milionë euro derisa 1,007 janë kontrata aneks, ku për projekte ekzistuese është shtuar vlerë ose afat kohor, me vlerë 43 milionë euro. Kjo do të thotë se institucionet publike ftojnë vetëm një ose disa kompani për të bërë ofertë, duke shmangur konkurrencën dhe transparencën, si dhe duke dëmtuar buxhetin e shtetit. Lidhur me këtë, Kiksi ka adresuar pyetje në drejtim të organit që mbikëqyrë procedurat e prokurimit, pra Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Megjithatë, në pyetjet tona se sa kontrata njëburimore janë nënshkruar përgjatë 5 viteve të fundit dhe cilat institucione kanë praktikuar këtë procedurë më së shumti, emisioni nuk ka marrë përgjigje. Në anën tjetër, edhe Prokuroria Speciale në fillim të vitit 2025, gjatë mbledhjes së 261-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, bëri të ditur se janë duke u hetuar 1 mijë e 600 kontrata njëburimore. Për ecurinë e hetimeve, emisioni i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë, megjithatë nga ky organ nuk kanë dhënë detaje. /Klankosova.tv