Qeveria gjermane: Kosova stabile, rëndësi jetike për Gjermaninë e NATO-n (VIDEO) NULL NULL 24.05.2025 17:36 24.05.2025 17:36 Kancelari gjerman, Friedrich Merz Veç dy javë pasi që u bë kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe qeveria e tij morën një vendim që lidhet direkt me Kosovën. Ekzekutivi në Berlin zgjati pjesëmarrjen e Ushtrisë Gjermane në kuadër të misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë, që vepron këtu tash e 26 vjet. Qysh nga çlirimi i vendit dhe tërheqja e forcave serbe më 14 qershor 1999, KFOR-i mban mandat paqeruajtës dhe tani është përgjegjësi i tretë për siguri. Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, ka thënë se një Kosovë stabile dhe paqësore është prej rëndësisë thelbësore për Gjermaninë, NATO-n dhe gjithë Evropën. “Edhe këtu kontributi gjerman mbetet i pandryshuar; Si me personelin që e kemi në bazën e KFOR-it, është një element i përkrahjes kombëtare- ku është një kompani në mision si dhe me postin e drejtorit në ekipin e ndërlidhjes dhe Këshillimit të NATO-s”, tha Kornelius, raportob Info Magazine në Klan Kosova. Vendimi i qeverisë tani duhet të miratohet nga Parlamenti gjerman, Bundestag, kurse për peshën historike që e ka pjesëmarrja gjermane në KFOR, zëdhënësi dha fakte të forta. “Nga viti 1999, Ushtria jonë Bundeswehr, është e përfshirë në mënyrë aktive në misionin e KFOR-it, për stabilizimin edhe sigurimin e paqes në Kosovë. Situata e sigurisë në veri të Kosovës, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme politike, së fundmi është stabilizuar. Momentalisht janë të mundura përkeqësime afatshkurtra. Prandaj është me rëndësi që KFOR-i tutje të kontribuojë në përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë e Ballkan Perëndimor”, u shpreh ai. Pos në perëndim të Ballkanit, republika gjermane po merr rol kyç ushtarakisht edhe në pjesë tjera të Evropës. Këtë javë kancelari Merz, bashkë me ministrin e mbrojtjes Boris Pistorius, qëndruan në Lituani, ku në kufijtë e këtij shtetit me Rusinë e Bjellorusinë, do vendosen 5000 ushtarë gjermanë. Kjo do të jetë, siç thanë zyrtarët më të lartë të Gjermanisë, pas Kosovës, dislokimi i dytë i madh i trupave të këtij vendi në një shtet tjetër, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. E me vendosjen e kësaj brigade në krahun Lindor të NATO-s, sipas tyre mbrohet çdo pëllëmbë e tokës së Aleancës. Vetë Merz, tha se ka marrë fund koha kur dikush në Gjermani kishte iluzione për regjimin e Vladimir Putinit, i cili tash e tre vjet po e sulmon fqinjin, Ukrainën. /Klankosova.tv