Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pse Serbia po do të hapë konsullatë në Shkodër? Debat në “Kosova Today” (VIDEO)

NULL NULL
30.07.2026 14:10

Serbia ka njoftuar planet për hapjen e një konsullate në Shkodër, teksa Shqipëria pritet të hapë një përfaqësi të ngjashme në Bujanoc.

Frrok Çupi, i ftuar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, tha se çështjet nacionale në Ballkan janë akoma të ndjeshme, duke shtuar se kjo temë ka hapur debat të madh, sidomos brenda mazhorancës.

“Sigurisht që ngjallë pikëpyetje, por ende nuk është një realitet zyrtar. Është një diskutim i madh për këtë çështje, sidomos brenda radhëve të mazhorancës. Pse bëhet ky diskutim tani? Sigurisht që ka baza, çështjet nacionale në Ballkan janë shumë të ndjeshme, shumë të prekshme, kujdesi i Tiranës për Luginën ka kohë që ka nisur dhe është mjaft i ndjeshëm, por është problemi jo krejtësisht i balancës, por problemi politik brenda mazhorancës…”, tha Çupi.

Gazetarja Arditë Behluli nga Lugina e Preshevës tha se në Serbi jetojnë shumë më shumë shqiptarë në numër, kurse sipas saj në të gjithë Shqipërinë jetojnë rreth 700 serbë.

“Normalisht që iniciativa për hapjen e një konsullate nga lidershipi shqiptar i Luginës së Preshevës në bashkëpunim me përfaqësues institucionalë të Beogradit ka mëse dy vite që kjo nismë është filluar… Gjuriq ka bërë një konfirmim se së shpejti do të hapen konsullatat në Bujanoc dhe në Shkodër. Dallimi është shumë i madh nëse bëjmë paralelizëm me serbët që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarët që jetojnë në Serbi, sepse diku nga informacionet që kemi siguruar është se rreth 700 serbë jetojnë në Republikën e Shqipërisë, ndërsa dimë se struktura e popullatës në 3 komunat me shumicë shqiptare, me theks të veçantë në Preshevë, ku 98% janë shqiptarë, vetëm një komunë sipas regjistrimit zyrtar, vetëm qyteti i Preshevës numëron diku rreth 35 mijë shqiptarë”, tha ajo.

Kurse, Mentor Nazarko sqaroi organizimin diplomatik për hapjen e konsullatave në qytete të ndryshme në dy shtete.

“Gjuriq dhe Serbia synojnë t’i shesin botës një fytyrë të veten normale. Marrëdhëniet mes shteteve rregullohen nga Konventa e Vjenës apo marrëveshje tjera me karakter universal ndërkombëtar apo me karakter dypalësh. Në momentin që Shqipëria me Serbinë ka marrëdhënie diplomatike, ecuria e përcaktimit të një qyteti apo një qyteti tjetër është kjo, unë shteti A i kërkoj shtetit B dua të çel një konsullatë në këtë qytet për arsye me karakter historik, komunitar…”, tha ai.

Nga ana e tij, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi argumentoi se kërkesa e Serbisë për hapjen e konsullatës në Shkodër ka të bëjë me tentimin për ta pamundësuar hapjen e konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc në bazë të reciprocitetit, teksa përmendi edhe arsyet historike si rrethimi i Shkodrës.

“Mendoj që mund të jenë dy arsye në këtë hile: e para që t’i pamundësojë Shqipërisë zyrtare për ta hapur një konsullatë në Luginë me idenë që kanë bërë një kërkesë të pa justifikueshme, pavarësisht se Nazarko e sqaroi proceduralisht se si organizohet bashkëpunimi. Megjithatë, zakonisht në marrëdhënie diplomatike, Shqipëria dhe Serbia përfaqësohen me ambasada njëra në Beograd dhe tjetra në Tiranë. Nevoja që Shqipëria të ketë një konsullatë në Luginë është evidente, e kemi parë për shumë arsye këtë çështje. Dyshoj që janë dy arsye që Serbia ka bërë një kërkesë, apo mund të tentojë të bëjë konsullatën në Shkodër, e para për ta pamundësuar konsullatën në Luginë për shkak të reciprocitetit dhe e dyta që lidhet me çështjet historike si ‘rrethimi i Shkodrës’ që tenton të prekë edhe aspektet e sigurisë”, tha mes tjerash Elezi.

lajme të ngjashme