Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Promovohen tre libra të Sabri Hamitit, Lumir Abdixhiku shkruan në detaje për secilën

NULL NULL
10.06.2025 12:25

Në Bibliotekën Kombëtare sot janë promovuar tre librat e rinj të akademik Sabri Hamitit: “Prishtina mon amour”, “Maja” dhe “Kanoni letrar”.

Pjesëmarrës në promovim ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdhixhiku.

Ai në Facebook shkroi në detaje për këto tre botime të Hamitit.

“‘Prishtina mon amour’ është një antologji e poezive të Sabri Hamitit si homazh për Prishtinën e tij e tonën, si topos të jetës e të kulturës, të dashurisë deri në dhembje personale dhe universal”.

“‘Maja’ është drama më e re Sabri Hamitit. E shkruar më 2007, e sheh dritën tash. “Dramë në tri akte e dy kohë”, vepra dramatike e tematizon luftën shqiptare për çlirim të Kosovës, e situuar në luftën dhe në pasluftën e vitit 1999”.

“Gjersa ‘Kanoni letrat’, i përbërë prej dy pjesëve, përmban paraqitje të përmbledhura të tetë librave të kritikës letrare që ka botuar Hamiti në njëzet e pesë vitet e fundit, si dhe një ese kritike”.

“Akademik Sabri Hamiti është një prej figurave më të ndritura të mendimit shqiptar – një urë mes letërsisë si art dhe dijes si përkushtim. Me penën e tij të mprehtë dhe mendjen e hollë, ai i dha kuptim një epoke, duke vendosur themele të reja në kritikën letrare, teorinë estetike dhe përfaqësimin e identitetit kulturor shqiptar. Si shkrimtar e studiues, ai nuk shkroi thjesht libra – por horizonte. Nuk ngriti thjesht teori – por vizione. Në një kohë të përplasjeve të mëdha mes mendësive të vjetra dhe ideve të reja, Sabri Hamiti zgjodhi guximin e fjalës së lirë dhe thellësinë e mendimit kritik”, shkruan mes tjerash Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.

“Mirënjohja për Akademik Hamitin nuk është vetëm nder për një njeri – është mirënjohje për një gjurmë të thellë në kulturën tonë kombëtare. Ai është shkruesi i heshtur i shumë kapitujve të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe dhe një nga interpretuesit më të thellë të Rugovizmit kulturor. Mësimet e tij kanë formuar breza të tërë krijuesish dhe mendimtarësh, ndërsa qetësia e tij shpirtërore ka qenë burim frymëzimi për të gjithë ata që e kuptojnë artin si mision dhe kombin si përgjegjësi. Për gjithë këtë trashëgimi të çmuar, për fisnikërinë e fjalës dhe qëndresës, ne e nderojmë me respekt të thellë”.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.