Prishtina, kampione vjeshtore, 10 ndeshje – 10 fitore NULL NULL 11.12.2021 21:16 11.12.2021 21:16 Prishtina është kampione vjeshtore e Superligës së Femrave. Skuadra prishtinase ka shënuar fitore në derbin ndaj Penzës me rezultat 91:65 (26:21, 18:10, 25:23, 22:11), në kuadër të javës së dhjetë në elitën e femrave. Në çerekun e parë u zhvillua lojë e barabartë, ku herë njëra skuadër dhe herë tjetra kalonin në epërsi, pa arritur shkëputjen e madhe, ndërsa përfundon me rezultat 26:21. Në periudhën e dytë më të mira ishin vashat vendase që krijuan epërsi deri në 13 pikë, 44:31, sa përfundoi pjesa e parë. Në periodën e tretë u zhvillua lojë interesante, me vendaset që ruajtën epërsinë, kurse mysafiret nuk arrinin të afroheshin në rezultat. Pas një lojë të barabartë, kjo pjesë përfundoi 25:23, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 69:54. Në dhjetë minutat e fundit, dominuan tërësisht bardhekaltret që rritën epërsinë edhe më shumë, duke triumfuar me rezultat 91:65. Te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 25 pikë e 16 kërcime, Aisia Roberton me 21 pikë e 11 asistime, Arbnore Përquku me 15 pikë, nëntë kërcime dhe tetë asistime dhe Marigona Rushiti me 16 pikë e shtatë kërcime, kurse te Penza u dalluan Rael Whitesitt me 18 pikë e 19 kërcime dhe Valbona Bytyqi me 21 pikë. Prishtina e përfundoi stinorin vjeshtor me dhjetë fitore në dhjetë ndeshje, duke qenë skuadra e vetme pa humbje, kurse kampionet me tetë fitore dhe dy humbje. Në ndeshjet tjera të xhiros së dhjetë, Vëllaznimi ka mundur në udhëtim Kastriotin me rezultat 36:91. Skuadra nga Gjakova e përfundoi stinorin vjeshtor në vendin e katërt me tri fitore dhe shtatë humbje, kurse ajo ferizajase në vendin e gjashtë me dhjetë humbje në dhjetë ndeshje. Ndërkohë, Bashkimi ka mundur Trepçën në udhëtim 66:79. Këto dy skuadra do të takohen edhe të hënën në Prizren nga ora 19:00 në ndeshjen e mbetur të xhiros së pestë. Prizrenaset kanë pesë fitore dhe katër humbje, ndërsa mitrovicaset tri fitore dhe gjashtë humbje, transmeton Klankosova.tv.