Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Presidenca e kundërshton rritjen e çmimit të rrymës

NULL NULL
28.03.2025 16:16
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenca e Kosovës ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend prej 15 për qind.

Përmes një reagimi dërguar mediave, Presidenca ka thënë se ky paralajmërim për shtrenjtim të çmimit të rrymës e injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.

“Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, pasi ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend”.

“Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Presidenca më tej tha se në vazhdë të një rritjeje potenciale, rritja e tarifave të energjisë nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, ku sipas tyre, duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend.

“Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale. Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRrE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë)”.

“Përkrahja e rritjes së çmimit të energjisë si një zgjidhje e parë me qëllim të adresimit të sfidave në sektorin e energjisë do të sillte një barrë të madhe për qytetarët”, thuhet tutje në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Rritja e çmimit, presidenca tha se do të mund të shkaktonte një valë të re të inflacionit në vend si dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve.

“Rritja e çmimit të energjisë ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare”.

“Kjo do të përfshinte edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera thelbësore. Sipas aplikacioneve të operatorëve, një nga arsyet kryesore të kërkesës për rritjen e çmimeve të energjisë është dështimi i KEK-ut për ta realizuar prodhimin e energjisë sipas planeve të tij vjetore”.

“Ky dështim ka detyruar KEDS-in, të importojë energji me çmim shumë më të lartë (mesatarisht pesë herë më i lartë se prodhimi vendor), duke rritur kostot. Sipas KEDS-it, po ashtu, OSSH-ja ka importuar mbi 37 milionë euro më shumë se sa niveli i lejuar nga ZRrE-ja për vitin 2024”, thuhet në reagim.

Presidenca më tej u shpreh se rritja e humbjeve të projektuara për vitin 2025 prej pothuajse 57 për qind, sipas tyre, në krahasim me vitin paraprak është justifikuar me faktin se KEK-u nuk pritet të gjenerojë energji në kapacitet të plotë dhe se kosotja e importit do të jetë shumëfish më e lartë.

“Megjithatë, duhet theksuar se kostoja aktuale e importit nuk është më e lartë se në vitet e kaluara, veçanërisht kur krahasohet me kulmin e çmimeve në vitin 2022 (aktualisht çmimi mesatar i importit është rreth 145 euro), si dhe nuk pritet ndonjë përshkallëzim drastik i çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2025”.

“Përkundër përpjekjes së operatorëve për t’i arsyetuar kostot e projektuara, vërehet një mungesë e transparencës, gjë që bëhet më serioze duke patur parasysh mospublikimin e raporteve të tyre financiare për vitin paraprak. Rrjedhimisht, qytetarët nuk kanë mundësi të informohen saktësisht mbi shpenzimet për energjinë dhe humbjet gjatë shpërndarjes. Kjo krijon vështirësi në vlerësimin e saktë të kërkesave për humbjet e lejuara”.

“Mirëpo, një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të ketë edhe një ndikim zinxhiror. Respektivisht, siç është cekur më lart, rritja e çmimit të energjisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Rrjedhimisht, çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin dhe me koston e jetesës. Në rastin e Kosovës, rritja e tarifave të energjisë, veçanërisht rritja e çmimit të rrymës, do të ndikonte ndjeshëm në fuqinë blerëse të qytetarëve”.

“Kjo rritje e çmimit të energjisë (një rritje kumulative prej pothuajse 126% në katër vite) do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke shkaktuar në një valë të re inflacioni. Sipas ASK-së, gjatë vitit 2022 dhe 2023, kur çmimi i energjisë u rrit ndjeshëm, çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera thelbësore gjithashtu u rritën në mënyrë drastike”, thuhet në reagim.

lajme të ngjashme