Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Poezia është për dashurinë edhe kur s’është për të

NULL NULL
nga Lum Gashi 30.12.2022 13:00

Poezia dhe dashuria shumë herë dhe nga shumëkush thirren si sinonime. Besa, pushteti i madh i dashurisë mbi poezinë për dikë del të jetë madje absolut.

Në librin e profesorit Erik Gray, i cili ligjëron në Universitetin e Kolumbias, Arti i poezisë së dashurisë ofrohet një kronologji e poezisë së dashurisë, por paralelisht me të edhe një kronologji e ideve dhe konceptimeve të saj përgjatë mijëra vitesh.

Gray në këtë libër thotë që qëllimi i tij nuk është që t’i vë në garë format e ndryshme të artit, por që të sugjerojë që poezia është në përgjithësi dhe në mënyrë konsistente e lidhur me dashurinë erotike që përqendrohet në individin.

Ovidi, Horaci, Stendali, Singeri, Bajroni, Wordsworthi e plot të tjerë, defilojnë në rreshtat e librit të Gray, ose me vargjet e tyre mbi dashurinë, ose me mendimet dhe opinionet e tyre mbi të.

Sipas Grayt, dashuria e gjen formën e vet më të përshtatshme në poezi, sidomos në atë lirike, si një gjendje e përbashkët dhe publike me një anim në heshtje dhe singularitet”.

Në kaptinat e librit, përmes trajtimit që i bëhet puthjes, pranisë së kafshëve në poezi, anashkalimit tepër të shpeshtë të jetës martesore në poezi, arrijmë ta kemi një ide se ç’e shtyn dhe ç’e përbën gjendjen e përgjithshme të një poeti kur rrok penën për të shkruar një poezi dashurie.

Për Grayn, poezia evokon gjithmonë dashurinë, pavarësisht përmbajtjes që e ka – mirëpo këtë pak ia atribuon më shumë preokupimit të tij afatgjatë brenda kësaj fushe të caktuar e që mund ta ketë bërë të gjykojë se një e vërtetë e tillë qëndron.

 

Erik Gray, profesor i letërsisë

 

Pse na vyen historia e poezisë për ta kuptuar dashurinë, siç thoni ju?

Ajo që më bëri përshtypje kur fillova të mendoj për këtë temë është se dashuria dhe poezia gjithmonë shkojnë bashkë. Madje Platoni në të vërtetë thotë se dashuria e shndërron gjithsecilin në poet. Kur bini në dashuri, poezia është hapi i natyrshëm i radhës. Dhe mendoj që shumë njerëz e kuptojnë se edhe e kundërta është po ashtu e vërtetë – pra, që poezia, edhe kur nuk është për dashurinë, ndien romantike. Nëse dikush jua lexon poezinë juve, ju bën që të mendoni për dashurinë edhe nëse poezia është për zogjtë ose natyrën. Prandaj, doja të dija më shumë për atë histori. Sa më shumë shikoja, aq më shumë gjeja që edhe në periudha të poezisë që nuk janë të njohura domosdo për poezi dashurie, dashuria ishte gjithmonë pjesë e historisë, poezisë, dhe përkufizimet e poezisë gjithnjë përfshinin dashurinë dhe anasjelltas. Prandaj, ato shkojnë bashkë, dhe kjo ka filluar mijëra vite më parë.

Ç’e bën poezinë formën më pjellore për të shkruar për dashurinë?

Kjo është një pyetje e mirë. Kjo ndodhet në zemër të librit. Mendoj që ka një përgjigje të thjeshtë, dhe ajo përgjigje e thjeshtë është që poezia është më ndijore proza. Prandaj, nëse mendoni për këtë, secila fjalë ka trup dhe shpirt, apo jo? Secila fjalë ka një formë fizike – ose tingujt e saj ose forma e saj e shkruar, dhe shpirtin që është kuptimi i saj. Në shumicën e të shkruarit në prozë, është vetëm shpirti që ka rëndësi apo jo? Vetëm kuptimi ka rëndësi. E veçanta e poezisë është që i kushton rëndësi tingullit të fjalës. I kushton rëndësi trupit. Dhe trupi ka po aq rëndësi sa shpirti – ai përqendrim në trup dhe në shpirt njashtu. Rima rreshton poezinë me dashurinë. Kjo do të thosha është përgjigja e thjeshtë. E përgjigja më e thellë, e për të cilën nevojitet krejt libri për ta shpjeguar, është, mendoj, që dashuria dhe poezia e ndajnë një paradoks. Dhe paradoksi është që të dyja janë në të njëjtën kohën krejtësisht të pavetëdijshme dhe po ashtu tejet të vetëdijshme. Prandaj, ne e mendojmë poezinë si shumë spontane. Vjen nga zemra. Është e paparashikueshme në kuptimin që ju nuk e dini se kur do të frymëzoheni për ta shkruar një poezi. Nuk është diçka që ju e kontrolloni, është e pavetëdijshme. Mirëpo, në anën tjetër, ne po ashtu mendojmë për poezinë si të qenët shumë të vetëdijshëm, më shumë të vetëdijshëm se sa, le të themi, biseda që po e bëjmë tani. Prandaj kjo është ajo që secili që e ka shkruar një poezi e di se sa vështirë është ta shkruash një të tillë. Lyp më shumë mund dhe mendim se sa proza apo llafet e përditshme, dhe ka një strukturë dhe formë shumë strikte. Prandaj mendoj që ai paradoks është goxha i qartë në poezi. Është një formë e pavetëdijshme por po ashtu shumë e vetëdijshme e gjuhës. Por ajo që është interesante dhe befasuese është që e njëjta gjë është e vërtetë për dashurinë? Apo jo? Mendoj që krejt e dimë që dashuria është e pavetëdijshme. Ju nuk mund të vendosni të bini në dashuri. Ju vjen në mënyrë të paparashikueshme, dhe është befasi. Dhe kjo është mënyra se si mendojmë për këtë gjë. Por ajo që e kam zbuluar, sa më shumë që lexoj teori të dashurisë dhe sa më shumë kam filluar të mendoj për vetë përvojën time, është që dashuria është po ashtu një efekt i vetëdijes, i njohjes. Nuk është krejt risi. Është gjithashtu njohje e gjërave që ju i prisni. Andaj nëse ju mendoni, për shembull, për dashurinë në shikim të parë, dy njerëz që bien në dashuri në herën e parë që e shohin njëri tjetrin, mendoj se kjo ndodh, dhe është shumë ngazëllyese kur ndodh. Por ndodh për dy arsye. Arsyeja e parë se pse është aq ngazëllyese dhe aq e fuqishme është për shkak që është e papritur. Ju nuk e njihni këtë person, dhe është diçka aq e papritur dhe e re. Mirëpo, në të njëjtën kohë, arsyeja tjetër se pse është aq ngazëllyese është që ju e ndieni njohjen e këtij fenomeni. Ja ku është diçka që ju keni menduar se ndodh vetëm në përralla, por tani po ju ndodh juve në të dyja ato aspekte – risia, por po ashtu njohja, vetëdija e te parit veten tuaj si dashurues, duke e njohur veten tuaj si dikush që sapo ka kaluar nëpër këtë përvojë përrallash. Të dyja ato janë pjesë të kënaqësisë së dashurisë. Dhe kjo është ajo vetëdije që e ndan dashurinë nga dëshira e thjeshtë.

Ç’thotë poezia për lidhjen midis dashurisë dhe gjuhës?

Prapë ka një paradoks këtu, e që është – poezia qartazi e përqafon gjuhën. E shfrytëzon gjuhën. Gjuha është vetë thelbi i poezisë. Dhe për më tepër, shumica e poezisë është po ashtu shumë e vetëdijshme për limitet e gjuhës.  Në fakt, prandaj poezia nuk duket si prozë sepse poeti e di që duhet ta lakojë gjuhën. Ata duhet që ta nxjerrin ndaras dhe ta riformulojnë në mënyrë që ta thonë atë që vërtet duan ta thonë. Prandaj, poezia është gjuhë abnormale. Mendoj që dashuria e ka të njëjtin raport me gjuhën. Dashuria do që të flasë. Njëra prej gjërave më të dhimbshme për një dashurues nuk është kur nuk është i aftë që t’i flasë të dashurës së tij, apo për të dashurën e tij. Apo jo? Nëse keni rënë në dashuri, ju doni që të dilni dhe t’i kallëzoni botës. Por në të njëjtën kohë ,dashuria është intime, private, dhe realisht nuk pajtohet me gjuhën e cila është domosdo publike. Arsyeja që ne e kuptojmë njëri-tjetrin, arsyeja që ju i kuptoni fjalët e mia është sepse të gjitha fjalët që po i përdor janë publike. Janë përdorur mijëra herë dhe prandaj e kanë këtë kuptim që e kanë. Dhe kështu është një medium që është në mospërputhje me atë që dashuria do, e që është të shprehë diçka intime dhe personale dhe unike. Ju bini në dashuri me dikë jo sepse duket njësoj si të tjerët, por sepse për juve duket ndryshe nga të gjithë të tjerët. Por si do ta bëni këtë në gjuhë? Gjuha juaj do të duhej të ishte diçka krejtësisht e ndryshme nga çdo gjuhë tjetër, por megjithatë nuk ekziston një gjuhë e tillë sepse do të ishte e pakuptimtë. Prandaj, sfida e një dashuruesi që rropatet me atë problemin e të dashurit të flasë dhe dijë paraprakisht që gjuha është e pamjaftueshme është një problem me të cilin poetët luftojnë gjatë gjithë kohës, dhe kjo është ajo që i lidh ata.

Poezia në parim është përpjekje artistike, por a është edhe mjet në shkencën e dashurisë?

Po, nuk mendoj që poezia është një përpjekje puro akademike. Është bërë asisoj. Mund të flas vetëm për traditën angleze dhe anglofone sepse ato i njoh më shumë, së paku në kuptimin e poezisë bashkëkohor – shumë poetë, madje edhe poetët më të mirë që shkruajnë sot, shkruajnë për një audiencë shumë të vogël, por kjo nuk ka qenë gjithmonë e vërtetë, dhe nuk është e vërtetë as sot nëse e ndryshoni përkufizimin se çfarë është poezia. Ishte një kohë dikur në shekullin njëzet ku shumë prej asaj që tradicionalisht quhej poezi filloi të bëhej shumë mugët, shumë e vështirë, dhe jo për një audiencë të gjerë. Në të njëjtën kohë, muzika dhe këngët filluan të incizoheshin dhe të përhapeshin shumë më gjerësisht se më parë. Dhe do të thosha që poezia më popullore që shkruhet sot është poezia që vjen në muzikën popullore. Na ndërmendet Bob Dylani që e fitoi çmimin Nobel për Letërsi fare pak vite më parë. Dhe kjo është e duhur sepse ai është një poet shumë i mirë. Prandaj, nuk mendoj që është puro vetëm akademike. Dhe nëse i ndryshoni kushtet pak, dhe thoni që poezia dhe kënga janë të lidhura me dashurinë, atëherë nuk mendoj që kjo do të dukej e befasishme për ndokënd. Ajo këngë mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni emocionet tuaja, ndjenjat tuaja, jo vetëm për dashurinë – ama, sidomos për dashurinë

Si mund të jetë dashuria “mrekulli e qytetërimit” (Stendali) kur rrallë o kurrë lidhet me arsyen?

Eh kjo është befasues. Kjo na kthen te ai paradoksi për të cilin po flisja më parë. Më vjen mirë që e përmendët Stendalin. Stendali, romansieri francez i shekullit njëzet, para se t’i shkruante romanet e tij, e kishte shkruar një traktat të mrekullueshëm për dashurinë e që quhet “Mbi dashurinë”. Dhe aty ai flet për dashurinë pak a shumë siç presim nga një shkrimtar i epokës së Romantizmit të flasë për të, pra që dashuria është ajo që na ndodh krejt papritmas. Ju bën të silleni çmendurisht. Ju bën të obsesionuar me personin që e dashuroni. Ju i shihni ata si të përsosur. Mirëpo ai thotë që kënaqësia e vërtetë e dashurisë vjen jo nga momenti i parë, por kur ju filloni të mendoni për veten në dashuri. Arsyeja se pse ai thotë është triumf i qytetërimit është sepse, shihni, mijëra e mijëra vite më parë kur dashuria mori formën e gratifikimit të menjëhershëm të dëshirës seksuale kur rronim në fise apo klane apo ku ta di unë, a ishte ajo dashuri? Dhe ai mendon që jo, sepse shumica e kënaqësisë nga dashuria vjen prej luhatjes midis kënaqësisë dhe dëshpërimit dhe tentimeve për t’u shprehur, si dhe frikës për t’u shprehur; dhe pastaj kënaqësisë që vjen kur ju arrini ta shprehni dashurinë tuaj. Krejt kjo nga vjen kënaqësia e vërtetë e dashurisë. Prandaj ai thotë që vetëm me qytetërim mundësohet ajo që e quajmë dashuri dhe jo dëshirë apo seks.

 

Portret i shkrimtarit francez, Stendalit

 

Ç’ide të përgjithshme jua ofron rreth dashurisë grumbulli i leximeve për të?

Nuk jam i sigurt nëse mund ta reduktoj në një gjë të vetme. Mendoj që ajo që e kam mësuar nga studimi i poezisë së dashurisë nga epokat e ndryshme dhe po aq sa kam mundur nga gjuhët dhe civilizimet e ndryshme për aq gjatë sa jam marrë me to, ka qenë se sa universale janë problemet me të cilat janë përballur poetët dhe problemet e të folurit për dashurinë dhe problemet që siç duket dashuruesit janë përballur. Është në fakt befasuese. Shumica e historisë së sociologjisë në 100 vjetët e fundit ka qenë që të largohemi nga idetë e universaleve dhe ta shohim çdo gjë si historikisht dhe kulturalisht specifike. Dhe mendoj që lëvizja në studimin e dashurisë ka qenë larg kësaj dhe drejt një kuptimi më të përgjithshëm të dashurisë si njëra prej pak konstanteve transhistorike dhe transkulturore. Nuk është absolutisht universale. Ka siç duket vende ku nëse do të flisnit për dashurinë si njërën prej forcave të mëdha motivuese në jetët e individëve, njerëzit jo domosdo do ta kuptonin atë. Por mua më duket më e përhapur se çdo fenomen tjetër dhe më konsistent në të shprehurit e vet. Njerëzit që e studiojnë trurin e njerëzve në dashuri, marrin njerëz që pohojnë se kanë rënë në dashuri së fundmi dhe nxjerrin imazhe të truve të tyre dhe u shfaqin fotografi. Nga aty duket sikur nuk ka rëndësi se prej nga janë këta njerëz. Trutë e tyre aktivizohen njëlloj kur atyre u shfaqen fotografi të më të dashurve të tyre dhe në vendet e njëjta, pavarësisht se prej nga janë. Dhe kjo është diçka për të cilën ndiej se është e veçantë për dashurinë dhe që jo domosdo është e aplikueshme për emocionet tjera.

Ishit në kërkim zbulimi për poezinë përmes dashurisë, por sikur ka ngjarë edhe e kundërta?

Po, së paku ashtu shpresoj. Dhe nuk ka një leksion të vetëm dhe të madh mbi atë se çfarë mund të mësoni për dashurinë nga poezia. Është realisht në shembujt individualë që shpresoj se shërbejnë si modele. Për shembull, një gjë që e kam vënë re, kur lexoja përmes poezisë së dashurisë, provoja që të lexoja sa më shumë që mundja dhe vazhdoja të vija re kafshë që shfaqeshin në poezi të dashurisë. Epo, kjo nuk është e befasishme. Ka shumë poezi për kafshët, apo jo? Nuk është e befasishme të kesh zogj në poezi. Dhe kur mendojmë për të rënit në dashuri me një person tjetër, ne zakonisht nuk mendojmë për të si diçka që ndërmjetësohet nga një kafshë shtëpiake apo një imazh kafshe domosdo. Mirëpo ne vazhdojmë ta gjejmë atë në poezi. Ne vazhdojmë së gjeturi atë motiv. Dhe kjo është thjesht diçka që mund të na mësojë ndoshta se si jemi të lidhur me të tjerët. Mendoj që ka shumë për t’u thënë për kafshët dhe dashurinë. Nuk është vetëm për dallimin nga kafshët, e që është disi ajo për të cilën po fliste Stendali. Dallimi midis formës sonë të dashurisë dhe dashurisë së kafshëve është që ne jemi shumë më të vetëdijshëm për të. Mirëpo, ka shumë gjëra rreth mënyrës se si jemi të lidhur me të tjerët të cilët mund t’i kuptojmë përmes leximit të poezisë së dashurisë dhe trajtimit të kafshëve nga ana e saj, si dhe trajtimit të së dashurës e cila shpesh krahasohet me një zog apo gazelë.

Është poezia monopol i dashurisë, sipas jush?

Jo. Me shumë gjasë jo. Është shumë e mundur që kur studioni diçka shumë gjatë dhe mendoni për të shumë gjatë, ju filloni të mendoni ngushtë dhe jo gjerë, dhe mund të shihni vetëm atë që prisni ta gjeni aty. Kështu, nëse do t’ju thosha që t’i mbyllni sytë dhe do t’ju lexoja diçka në një gjuhë për të cilën nuk keni dëgjuar më parë, që nuk e keni kuptuar, por qartazi, ju tingëllonte poezi, apo jo? Kishte rimë dhe ritëm të poezisë. Dhe do t’ju pyesja se ç’keni ndier. Hamendësoj që shumë njerëz do të thoshin që ishte e bukur, ishte në një mënyrë romantike dhe që ishte emocionuese; që i ka ngazëllyer dhe i ka zemëruar, i ka bërë të pikëlluar. Apo jo? Mendoj që ka diçka – e them prapë, kjo mund të jetë vetëm kulturore pasi jemi të trajnuar ta mendojmë poezinë si diçka që ia lexoni personit që e doni, por mendoj që ka ngjashmëri intrinzike që mund ta bëjë çdo poezi evokuese më shumë të dashurisë se sa të emocioneve të tjera.

Pse thoni që duhet festuar, jo vajtuar, që s’mund ta shprehim krejtësisht kapacitetin dashuror?

Është një pyetje e mrekullueshme. Është një pyetje e mrekullueshme. Mendoj që festimi dhe vajtimi shkojnë bashkë. Është një poezi e Petrarkës që e krahason dashuruesin me një molë që shkon drejt qiriut. Mola shkon drejt qiriut dhe i digjen krahët, mirëpo dy minuta më vonë, ç’bën? Kthehet te po i njëjti qiri. Nuk mund ta ndalojë veten. Dhe kjo është ajo që po e festojmë. Ju doni që ta shprehni emocionin tuaj sepse dashuria e ka këtë nevojë për t’u shprehur, për t’u jashtësuar në një mënyrë. Dhe kur e provoni dështoni sepse gjuha, siç thotë Niçja, do ta vrasë atë ide çfarëdo që është ajo, do ta zbehë. Mirëpo ju provoni prapë. Ju nuk keni zgjidhje sepse e ndieni të njëjtin detyrim të cilin e ndien mola – ai detyrim i poetit dhe i dashuruesit është që të vazhdojë të tentojë, të besojë që ajo gjë mund të ndodhë. Dhe supozoj që ajo që po e festojmë është dështimi, apo jo? Sepse dështimi tregon që ka diçka më të madhe se sa gjuha – sado e mrekullueshme të jetë gjuha – e që nuk mund të shprehet përmes gjuhës. Dhe ne po ashtu po i festojmë dështimet e miliona njerëzve që janë ndier të detyruar – pavarësisht faktit që e kanë ditur që nuk do të funksionojë – që ta shprehin krejt atë që e ndiejnë dhe mendojnë, dhe kanë dështuar ta arrijnë këtë.

Poezia më e arrirë, sipas jush, ajo që është krejt ndjenjë / mendim / kombinim?

Mendoj që është me shumë gjasë më e vërtetë që poezia ndryshon nga leximi në lexim. Mendoj që poezitë që kanë pasur më shumë kuptim për mua kanë qenë ato që më kanë pëlqyer menjëherë, emocionalisht, drejtpërdrejt. Duken të pamenduara në leximin e parë, dhe sa më shumë që u kthehem, aq më shumë e shoh atë që ju e quani saktësisht mendim, atë vetëdije që është derdhur në të, dhe forma e struktura që e ndihmojnë atë ndjenjë të jetë aq direkte. Kjo mendoj është receta për një poezi të madhe – të më godasë së pari në zemër, e pastaj të ngjitet ngadalë dhe në mënyrë progresive në mendjen time.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.