Poezi: Frigoriferi klasor NULL NULL 24.03.2021 11:42 24.03.2021 11:42 Ndoshta 2003 / 2004. Klasa e katërt fillore. Burri i shitores ballë shkollës Në frigoriferin e tij të madh Mbante distinktivët klasorë. Ata që pinin Multi Sola ishin klasa e mesme e lartë. Ata që pinin RC Cola ishin klasa e mesme e ulët. Ata që s’pinin fare ishin klasa punëtore. Ata që vështronin ishin të varfrit. Dikush i klasës së mesme të ulët … nganjëherë vetë-varfërohej për një ditë e gjysmë, Që sot të blinte një Multi Solë me paratë e kursyera dje. Filan fëmije një ditë vodhi diku një shumë parash Dhe rroi si klasë e mesme e lartë për nja dy javë Bashkë me tre shokët e tij të klasës që i qeraste. Dikur u zu. Mbeti pa klasë. Pa dinjitet. Mbet’ shkret. Fëmijë që ha gjyqin e tollovisë Në të cilën e kanë katandisur të rriturit. Endet i molepsur, barkthatë, Dikush bythën butë në kolltuk Tund kokën mendje-ngratë, E quan të paedukatë. T’i definosh përkatësitë klasore Përmes SOKAVE. Dikush në atë ftohës e sheh parajsën E dikush ferrin. Secili luftuaka me armët që ka: Dikush e blen, E dikush do ta thyejë frigoriferin. Dhe ky s’është promovim. As aprovim. Është veç konstatim. 23.03.2021 Lum Gashi