Piktura e serbit për shqiptarët, shitje rekord në ankandin e Londrës NULL NULL 29.04.2018 13:21 29.04.2018 13:21 Piktura e njohur me titull “Dy rojet shqiptare para portës”, që paraqet dy roje shqiptare në Egjipt, një nga kryeveprat e piktorit serb të shekullit të XIX, Paja Jovanoviç, është shitur në Londër. Piktura është shitur në ankandin e famshëm të artit, “Sotheby’s”, duke filluar nga shifra e 150 mijë stërlinave deri në shifrën përfundimtare të afro gjysmëmilioni stërlinash, duke e bërë atë pikturën më të shtrenjë të këtij piktori. Paja Jovanoviç ka rreth 8 tablo me tematika shqiptare dhe njihet si “orientalisti” më i madh serb. Jovanoviç ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, duke qëndruar në Shkodër për t’u njohur me kostumet kombëtare shqiptare, ku thuhet se krijoi një miqësi të fortë me piktorin e shquar të Rilindjes Kombëtare, Kol Idromenon. Ai ka qëndruar në mesin e shqiptarëve, që nga Mali i Zi e deri në Egjipt, e njihet si një ndër piktorët e rrallë që ka nxjerrë me ngjyra në pëlhurë madhështinë dhe krenarinë e shqiptarit, së bashku me rrobat karakteristike. Ndër pikturat me tematikë shqiptare janë “Përgatitja e nuses shqiptare”, “Mësimi i shpatës”, “Vallja e shpatave”, “Vajza me çifteli”, “Dredhja e duhanit”, “Shqiptari duke pushuar”. Edhe pse nuk dihet blerësi, media serbe ka kritikuar ashpër qeverinë që nuk investon në blerjen e këtyre veprave për Muzeun e tyre Kombëtar. Ndërkohë që në Shqipëri, asnjë nga këto piktura nuk është pronë e fondit të artit, apo ndonjë koleksionisti shqiptar./Tch