Petkoviq: Kurti kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e Vuçiqit, pasi nuk pyetet për diçka të tillë NULL NULL 31.03.2023 11:34 31.03.2023 11:34 Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, nuk mund të ndalojë vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kosovë. Kurti, në një intervistë në Rubikon të Klan Kosovës, më 30 mars, ka thënë se marrë parasysh rrethanat aktuale, Vuçiqi nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë. “Nëse kemi parasysh njeriun, i cili thotë se masakra e Reçakut është fabrikim, dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës”, u shpreh Kurti në këtë intervistë të mbrëmshme. Petkoviqi ndërkaq ka thënë se Kurti kot mburret “por se nuk pyetet për diçka të tillë”, pasi sipas tij, ka marrëveshje që e rregullojnë këtë çështje. “Nervozizmi i Albin Kurtit për marrëveshjen në Ohër, prej nga u kthye pa asnjë nënshkrim dhe njohje nga Beogradi, po përshkallëzohet çdo ditë. Prandaj kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e presidentit Aleksandar Vuçiqit në Kosovë, pasi ai nuk pyetet për diçka të tillë”, ka thënë Petkoviqi. “Në Ohër është rënë dakord në mënyrë të qartë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë, prandaj edhe Marrëveshja për vizitat zyrtare, sipas së cilës Prishtina mund të marrë parasysh vetëm vizitën e zyrtarëve nga Beogradi në territorin e Kosovës, dhe jo ta miratojë ose ta ndalojë atë”, tha ai. Në kuadër të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet kanë arritur Marrëveshje për vizitat zyrtare, e cila ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, 2014. Aty janë përcaktuar edhe afatet kohore se kur mund të dërgohen kërkesat për vizita dhe kur palët mund ta refuzojnë një vizitë të zyrtarëve të shtetit tjetër. /klankosova.tv Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Presidenca del me sqarim: Valdrin Sahitit nuk iu dha pasaporta diplomatike nga presidentja Vjosa Osmani 16/04/2023
Kosova Mbi 150 mijë lëndë në sirtarët e gjykatave, avokatët e shohin problem kthimin e rasteve në rigjykim 16/04/2023