Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pesë rrëfime “për 3 euro” në QKUK

123
string(24) "Ardiana Thaçi - Mehmeti" string(60) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2026/04/Ardiana.jpg"
nga Ardiana Thaçi - Mehmeti 25.02.2026 15:15

Nëse do ta përkufizoja me një fjali përvojën time me spitalet publike, do të thosha: në Kosovë, familjari nuk është vizitor – është infermier pa pagesë.

Sot flitet për 3 euro që duhet t’i paguajnë përcjellësit e pacientëve në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK). Një shumë simbolike, thuhet. Një kontribut i vogël. Një rregull administrativ. Por për mua, ato 3 euro kanë peshë më të madhe sesa vlera e tyre monetare. Ato prekin një histori personale, një përvojë të përsëritur ndër vite, ku roli i familjarit ka qenë shumë më tepër sesa thjesht “përcjellës”.

Nëntor 2012, ora 06:00 e mëngjesit. Me një batanije në dorë, zbres shkallëve të Gjinekologjisë. Pak e përgjumur, por e qetë. Një punëtor sigurimi më vihet pas: “Zonjë, ku po shkon?”, “Në punë,” i them me buzëqeshje. “Po ku ishe?”, “Lart, në Gjinekologji.” “Pse?”  “Jam studente. Vij natën e fle këtu që të mos paguaj qira.”

Qesha dhe dola. E vërteta ishte tjetër: motra ime kishte lindur djalin e saj të parë. Unë isha aty për të, për ta ndihmuar, për ta mbajtur foshnjën, për t’i dhënë dorën në orët e para të amësisë. Nuk isha vizitore. Isha mbështetje.

Fillim viti 2023, Klinika e Oftalmologjisë

Babai shtrohet për një operim në sy. Operimi kalon, por më pas një infeksion postoperativ dhe humb shikimin në njërin sy. Unë dhe motra ime organizojmë ndërrimet: ajo ditën, unë natën. Ajo e vetëpunësuar, unë pas përfundimit të emisionit drejt spitalit. Netë të gjata në karrige, me sytë mbi monitorë, me frikën se mos lëviz, mos rrëzohet, mos ka nevojë për diçka.

Prill 2023, Klinikat e Ortopedisë – Fizioterapisë

Nëna i nënshtrohet vendosjes së protezës së këllkut. Dy muaj të rëndë. Larje, pastrim, ndërrim çarçafësh të sjellë nga shtëpia çdo ditë. Prapë me ndërrime. Dy motra, me karrierë, me fëmijë, me jetë të ndërtuara mes përgjegjësive. Natën në spital, ditën në punë. Një herë në javë, djali im 15-vjeçar më zëvendësonte natën, që të mund të merrja frymë pak. Ishte “brain off”-i im i vetëm.

Tetor 2023, Klinika e Neurologjisë

Rrëzime të njëpasnjëshme të babait, luhatje të sheqerit në gjak, analiza të thella të trurit. Dy javë të tjera në spital. Gazetarja që gjithë jetën i është frikësuar gjakut dhe mantelbardhëve, u bë infermiere. Ndërroja infuzione babait, e ndonjëherë edhe të tjerëve. Në repart 27 pacientë, një infermier. Gjumi i thënçin gjumë në karrige u bë rutinë.

Dhjetor 2023

Nëna diagnostikohet me kancer. Të dërmuara emocionalisht, dhe me kërkesën e saj, vendosim trajtimin në privat. Dy operacione brenda muajit. Qëndrojmë pranë saj, por këtë herë kujdesi infermieror kryhet nga stafi. Çuditërisht, mjekët dhe teknikët; po ata që punojnë edhe në shtet. Dallimi? Në privat, familjari nuk është i detyruar të bëhet staf ndihmës.

Prandaj, kur sot të kërkohen 3 euro si “përcjellëse”, më lind një pyetje e thjeshtë: a është ky vërtet një shërbim që po e konsumoj, apo një shërbim që po e ofroj?

Familjarët në spitalet publike nuk janë luks. Ata janë domosdoshmëri. Ata ushqejnë, pastrojnë, ndërrojnë, mbajnë dorën, thërrasin mjekun, blejnë barna që mungojnë, sigurojnë çarçafë, shpesh edhe materiale bazike. Ata e mbajnë sistemin në këmbë në heshtje.

Nuk janë 3 eurot problemi. Problemi është filozofia pas tyre.

Sepse para se t’u kërkohet familjarëve të paguajnë për të qëndruar pranë më të dashurve të tyre, ndoshta duhet të pranohet një e vërtetë e thjeshtë: në shumë reparte, ata nuk janë barrë për sistemin – janë mbështetja e tij e padeklaruar.

Dhe mbështetja, zakonisht, paguhet. Jo anasjelltas.

P.S. Nuk po flas fare për procesin e diagnostikimit, sepse aty duhet të jesh atlet. Do të vraposh nga një klinikë në tjetrën, nga një repart në tjetrin, nga një laborator në tjetrin. Gjithnjë, të gjitha këto i kryen vetë familjari; po ai që, në fund të ditës, duhet t’ia paguajë po kësaj qendre universitare 3 euro për qëndrimin.

Sepse, nëse diagnostikimin e lë plotësisht në dorë të shtetit, rrezikon të mos e marrësh kurrë rezultatin.

Por kjo është një temë tjetër, që do të kërkonte qindra faqe për t’u shkruar.

lajme të ngjashme