Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përfundon qetësisht protesta paqësore anti-Speciale në Shkup (VIDEO)

NULL NULL
13.12.2025 12:18

Një orë pasi u shpall e hapur, përfundoi protesta e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Shkup.

Fjalimin e fundit e mbajti kryetari i BDI-s, njëherësh një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, i cili kërkoi liri për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë.

Vlen të theksohet se protesta nisi dhe përfundoi pa asnjë incident të vetëm të raportuar deri më tani. /Klankosova.tv


Speciale në Klan Kosova – mbulim hap pas hapi të protestës në Shkup (VIDEO)

Klan Kosova, me Speciale, do të përcjellë në çdo hap protestën e sotme të organizuar në Shkup nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në mbrojtje të ish-luftëtarëve që po gjykohen në Hagë.

Specialja nis në orën 13:00, kur nis edhe protesta në Shkup. 


13:55 – Ahmeti: Amerikë, NATO, Evropë, faleminderit që mbështetët UÇK-në (VIDEO)

Ali Ahmeti, ish një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe kryetari i BDI-së, ka marrë pjesë në tubimin protestues në Shkup, ku qytetarët po shprehin mbështetje për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të thirrur nga Organizata e Veteranëve.

Gjatë fjalës së tij, Ahmeti falënderoi ShBA-në, Evropën dhe NATO-n për mbështetjen që i kanë dhënë UÇK-së, duke ndihmuar në ndalimin e gjenocidit ndaj popullit të Kosovës, raporton Klankosova.tv.

“Jemi mbledhur sot në sheshin “Skenderbe” një vend historik për kufijtë e Evropës, që të mos lejohet pushtimi i saj. Jemi këtu pranë vendeve ku vepruan figura të shquara të kombit tonë, si Hasan Prishtina, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli. Hasan Prishtina u vra për lirinë e kombit, Pjetër Bogdani dha dije dhe filozofi evropiane, ndërsa Nexhat Agolli u pushkatua nga regjimi për kërkesën e tij për liri, drejtësi dhe barazi për popullin”.

“Amerikë, NATO, Evropa, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë e keni mbështetur përmes ushtrisë çlirimtare të Kosovës, duke ndalur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”. /Klankosova.tv


13:46 – Ilir Shaqiri interpreton “Jam Shqiptar” me djalin dhe nipin në protestën në Shkup (VIDEO)

Ikona e muzikës shqiptare, Ilir Shaqiri, së bashku me djalin e tij Korabin dhe nipin Alteun, performuan në protestën e mbajtur në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata interpretuan këngën “Jam Shqiptar”, duke ngjallur emocion dhe entuziazëm mes protestuesve.

Kënga, përforcoi mesazhin e protestës për mbështetje ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe kërkesën për drejtësi.

Ndiqeni LIVE në Klan Kosova:


13:43 – “Nga Shkupi i shqiptarëve”, Gucati: UÇK nuk ka qenë kriminale, por çlirimtare (VIDEO)

Hysni Gucati, kryetari i OVL-UÇK, ka folur para mijëra qytetarëve që po marrin pjesë në protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e cila po mbahet në Shkup.

Gucati theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë kurrë kriminale, por një forcë çlirimtare që mbrojti kombin dhe qytetarët e saj.

“Sot jemi mbledhur këtu për t’i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut se UÇK nuk ka kryer krime. UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Evropës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, tha Gucati. /Klankosova.tv


13-34: Vajza e komandant Strugës, Shqipdona Mazari: UÇK ishte ushtri çlirimi, jo pushtimi (VIDEO)

Në fjalimin emocionues në protestën e organizuar në Shkup, Shqipdona Mazari, vajza e Komandant Strugës, ka theksuar rëndësinë dhe ndihmën historike që ka ofruar Ushtria Çlirimtare e Kosovës për popullin shqiptar.

Ajo ka theksuar se UÇK-ja nuk ishte një ushtri pushtuese, por një ushtri çlirimtare që luftoi për liri.

Në fjalimin e saj, Shqipdona ka theksuar se UÇK-ja ishte përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe asnjëherë nuk ka pranuar të bëhet i nënshtruar.

“Të nderuar të pranishëm, shqiptarë nga të gjithë trojet shqiptare, bashkëluftëtar të kujtesës sonë historike. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të artikuluar fjalë, por pë të rikthyer  në vetëdijen tonë të përbashkët një kapitull të shenjtë të historisë sonë”.

“Çdo fytyrë këtu është gurthemel i lirisë sonë. Unë si bij dëshmori qëndrojë para jush me një emocion, ndjenjë përgjegjësi dhe plagë e pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminel”, tha Mazari.

Ndiqeni videon për më shumë:

13: 12  Haklaj: UÇK, tre shkronjat më të arta të alfabetit shqip (VIDEO)

Azgan Haklaj, një nga organizatorët, ka folur para mijëra qytetarëve që po marrin pjesë në protestën e thirrur në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai tha se tri shkronjat e alfabetit shqip janë UÇK dhe se askush nuk mund ta mbulojë diellin e tyre, raporton Klankosova.tv.

“Të dashur bashkëkombës, të dashura motra dhe vëllezër, bij dhe bija të një historie, të një gjuhe, të një gjaku, të një qëndrese.
Një rilindas i madh thoshte se me shkronja bëhet alfabeti dhe me alfabet shkruhet kombi. Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK”, tha ai para protestuesve. /Klankosova.tv


13:11 – Vlora Çitaku në protestën për ish-krerët e UÇK-së: Jam këtu si shqiptare, jo si zyrtare politike

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka dalë në përkrahje të protestës së sotme të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Shkup për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Çitaku, në një deklaratë për Klan Kosova, ka theksuar se ka marrë pjesë në këtë ngjarje jo si zyrtare politike, por si shqiptare që mbështet ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Jemi këtu si jo si zyrtar politik e partiak, por si shqiptar. Në mungesë  të një mbështetje institucionale, liderët e luftës çlirimtare, kanë fituar zemrat e të gjithë shqiptarëve anekënd. Lutemi dhe besojmë që kjo të jetë mbledhia e fundit, dhe vitin tjetër ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpi faqebardhë e fitimtarë”, tha Çitaku për Klan Kosova.


Berat Hajdari: Kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, jo i bazuar në gënjeshtrat serbo-ruse (VIDEO)

“UÇK, UÇK, UÇK”.

Kështu e nisi fjalimin e tij Berat Hajdari, veteran i luftës.

Pasi përshëndeti të pranishmit, ai tha se flet jo vetëm si anëtar i këshillit organizativ i protestës, por edhe si invalid i luftës që mban plagët e lirisë.

“Plagët tona nuk janë vetëm në trup, por janë kujtesë e gjallë e ditëve kur liria nuk ishte fjalë, por betejë. Sot kur shoh këtë mbështetje, zemra më rrahë si atëherë”.

“Jemi mbledhur për një kauzë që na dhemb, por mbi të gjitha na bashkon për të kërkuar drejtësi për komandantët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. Nuk po kërkojmë të mohojmë drejtësinë, por jemi për ta kërkuar drejtësinë. Jemi për t’i përkujtuar botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, se historia nuk guxon të shtrembërohet, se lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm, jo i bazuar në gënjeshtrat serbo-ruse”, tha Hajdari.


12:43 – Qytetari niset në këmbë për protestën e çlirimtarëve në Shkup (VIDEO)

Në protestën e thirrur nga organizata e veteranëve, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e cila do të mbahet pas pak minutash në Hagë, një qytetar ka marrë rrugën drejt Shkupit në këmbë.

Ai këtë e bëri të ditur në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës Qëndresa Tërshani, i cili tha se ka marrë pjesë edhe në protestat e tjera, me qëllim që të bëjë apel se katërshja e UÇK-së po gjykohet padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

“Makinen e kam lënë, jam nisur në këmbë. Nuk pata ndonjë problem, por jam ardhur sot për të bërë një apel ndaj Hagës, për t’i treguar se ata njerëz janë të pafajshëm”, tha ai për Klan Kosova.


12:42 – “Mjaft është mjaft”: Komandant Mala në Shkup, i revoltuar ndaj Gjykatës Speciale

Sheshi “Skenderbeu” në Shkup ka nisur të mbushet me qytetarë nga anë e mban trevat shqiptare.

Komandant Mala, i veshur me uniformë të UÇK-së, tha se janë në këtë protestë, sikurse në të tjerat që janë mbajtur në Prishtinë, Tiranë, Strasburg e Hagë.

Ai tha se po kërkojnë nga Gjykata Speciale që t’i lirojë ish-krerët e UÇK-së të cilët e çliruan dhe e pavarësuan Kosovën.

“Çka është mjaft, është mjaft. At burra të atdheut të vijnë te familjet e tyre e te tokat e tyre që i dhanë liri dhe pavarësi shtetit të Kosovës”, tha Komandant Mala.


12:27 – Protesta në Shkup i bën bashkë Limajn, Gucatin, Ahmetin dhe vëllanë e ish-presidentit Thaçi

Protesta e thirrur në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ka bërë bashkë Fatmir Limajn, Hysni Gucatin dhe Ali Ahmetin, si dhe vëllain e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë.

Protesta pritet të nisë pas pak, në orën 13:00, ndërsa një numër i madh qytetarësh pritet të marrë pjesë, raporton Klankosova.tv.

Nga OVL e UÇK-së kanë bërë të ditur se ky organizim është paqësor dhe se synohet vetëm të kërkohet drejtësi për katërshen e UÇK-së. /Klankosova.tv


12:24 – Murtezaj, në mbështetje të protestës së sotme në Shkup

Ilir Murtezaj, kandidati i PDK-së për deputet, ka dalë në përkrahje të protestës së sotme të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në Shkup.

Ai tha se kështu, shqiptarët po ngrihen sërish kundër padrejtësisë ndaj çlirimtarëve.

“Të gjitha rrugët sot na çojnë në Shkup. Shqiptarët edhe njëherë ngrihen kundër padrejtësisë ndaj Çlirimtarëve tanë”, shkroi Murtezaj.

Nga ora 13:00, në Shkup pritet të nisë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. /Klankosova.tv


12:09 – Limaj drejt protestës në Shkup: Do të çojmë mesazhe solidarizimi e për drejtësi (VIDEO)

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është nisur për të marrë pjesë në protestën në Shkup, të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Për gazetaren e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, ai tha se po merr pjesë në këtë protestë për shkak se e di që është e drejtë.

“Protesta të tilla ka pasur vazhdimisht, si në Tiranë e Prishtinë. Këto janë solidarizim për drejtësi. Sigurisht se nuk do të isha në një protestë që do të ishte kundër shtetit, ose kundër sigurisë së vendit. Sot po shkojmë që nga Shkupi të çojmë mesazhe solidarizimi dhe për drejtësi. Është një protestë krejt qytetare, dhe nuk është protestë kundër askujt. Është thjesht solidarizim për drejtësi”, deklaroi Limaj për Klan Kosova.


12:07 – Me simbole dhe flamuj kombëtarë, qytetarët ia mësynë protestës në Shkup (VIDEO)

Shumë qytetarë i janë bashkuar sot protestës që pritet të nisë nga ora 13:00 në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, e cila po organizohet nga Organizata e Veteranëve.

Nga pikëkalimi kufitar mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, e cila theksoi se shumë qytetarë kanë marrë rrugë me simbole dhe flamuj të shumtë kombëtarë.

Një qytetar në prononcim tha se ka marrë pjesë në të gjitha protestat dhe se edhe kësaj radhe ka ardhur pa hezitim, raporton Klankosova.tv.


Gjithçka gati për tubimin në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, shqiptarë nga të gjitha trojet etnike kanë filluar të mblidhen për tubimin e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare që po gjykohen në Hagë.

Në sheshin “Skenderbeu” në Shkup, tashmë skena është gati dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur me flamujt kombëtarë e me simbole të UÇK-së, sikurse edhe me flamuj të Republikës së Kosovës.

Aty shihen edhe pankarta me mesazhe të ndryshme, ndërsa ajo kryesorja është: “Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”.

Në këtë protestë do të marrë pjesë edhe Fatmir Limaj, ish-komandant Çeliku, i cili në një prononcim për Klan Kosova, tha se do të përçohet mesazhi për drejtësi.

Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe kreu i BDI-së në RMV, Ali Ahmeti. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme