UFC prezanton renditjen e re të luftëtarëve me AI – Adhuruesit reagojnë ashpër! NULL NULL 23.06.2026 22:46 23.06.2026 22:46 UFC ka prezantuar zyrtarisht sistemin e ri të renditjes së luftëtarëve të ndërtuar në bashkëpunim me kompaninë Meta, pas ankesave të shumta ndër vite nga presidenti i organizatës, Dana White. Sistemi i ri bazohet plotësisht në një model matematikor (Elo system), që analizon të dhënat dhe përditësohet automatikisht çdo të hënë pas çdo eventi. Fitorja dhe cilësia e kundërshtarit përbëjnë 95% të pikëve. Ky sistem ndëshkon rreptësisht pasivitetin (pas 18 muajsh) dhe fshin fare listën “Pound-for-Pound”. Starti i këtij projekti u përcoll me probleme të mëdha teknike që në testimet e para. Faqja zyrtare e UFC-së u bllokua për disa orë, duke shfaqur renditje krejtësisht të gabuara, e madje dhe vendosjen e luftëtarëve në kategoritë e gabuara. Pasi sistemi u stabilizua, adhuruesit dhe analistët e UFC-së, e cilësuan projektin si “mbeturinë”. Pa nuancën e gjykimit njerëzor, formula matematikore nxori absurde të mëdha, si rasti i flyweight Kevin Borjas (me rekord 1-4 në UFC) që u pozicionua i 9-ti në botë. Ndërsa, në kategoritë tjera, top luftëtarët e deridjeshëm, patën zbritje të dukshme në renditje apo edhe largim të plotë, sepse formula njeh vetëm statistikat aktuale, pa e llogaritur kontekstin dhe madhështinë e emrave të caktuar. Për momentin, UFC do t’i mbajë të dyja renditjet (atë “tradicionalën” nga paneli i medias dhe sistemin e ri nga Meta AI) krah për krah në faqen e tyre. Por, me stabilizimin e algoritmit të sistemit të ri, synimi është për ta zëvendësuar përfundimisht mënyrën e vjetër të renditjes. /Klankosova.tv