Përfundon edicioni i dytë i “Playfest” në Ferizaj, synohet që tradita të vazhdohet (FOTO) NULL NULL 25.08.2020 16:56 25.08.2020 16:56 Në mungesë të aktiviteteve kulturore, një grup i të rinjve nga Ferizaj kanë vendosur të mos rrinë duarlidhur. Ata kanë bashkuar forcat dhe kanë themeluar festivalin “Playfest” ku këto ditë kanë mbajtur edicionin për të dytin vit me radhë. Kryeinciatori për themelimin e këtij festivali, Pëllumb Bekteshi, ka thënë se qëllim kanë krijimin e hapësirës për grupe të ndryshme të shoqërisë për të bashkëpunuar me të gjitha komunitetet përmes formave të ndryshme të artit, kulturës dhe programeve edukative. “Synimi nga festivali “Playfest” është të krijohet dhe të promovohet një shoqëri e qëndrueshme me interesa të përbashkëta, por mbi të gjitha të sigurojmë barazi për të gjithë individët, ku ata do të jenë në gjendje të zbatojnë artin e tyre, të hapim rrugën për krijimin e artistëve dhe t’i angazhojnë ata në sferat sociale që kontribuojnë në ndërtimin dhe avancimin e tyre”, është shprehur Bekteshi për klankosova.tv. “Duke parë që në qytetin tonë Ferizaj, po mungon një ngjarje e tille, kam shpreh dëshirë që të krijojmë një hapësirë alternative, ku e gjithë shoqëria mund të bëhet bashkë dhe të festojmë ngjarjet kulturore, e të mësojmë nga ato edukative kështu edhe ka lind Playfest”. “Sigurisht pa ekipen dhe vullnetarët asgjë nuk do të ishte e mundur. Pra jemi me fat që kemi ndërtuar një ekip aq të mrekullueshëm”. Megjithëse sivjet mbajtja e këtij organizimi ka qenë më e vështirë për shkak të përballjes me virusin korona, këta të rinj e kanë mbajtur atë, duke respektuar çdo masë. “Rënia e papritur e aktiviteteve për shkak të situatës të shkaktuar nga pandemia po prek sektorë të ndryshëm. Përkundër situatës momentale dhe vështirësive të mëdha që kemi pas për shkak të pandemisë, dhe pasi që formati ka ndërruar plotësisht , ne prapë gjetëm forma alternative dhe Playfest zhvilloi forma kreative për të mbajtur një edicion tjetër të suksesshëm”, ka shtuar ai. “Gjithashtu kemi respektuar të gjitha rekomandimet nga institucionet shëndetësore me pjesëmarrje shumë të limituar dhe distancë sociale. Fatmirësisht për të gjitha ata që nuk ishin në festival, i gjithë programi është transmetuar falas në faqen tonë të facebook “Playfest””. Duke qenë festival që promovon vlerat shoqërore, Bekteshi ka shtuar se janë tejet entuziastë për edicionet tjera. “Sigurisht Playfest po rritet dhe me padurim po presim që të fillojmë punën qysh tani, për një edicion tjetër me shpresë që këtë herë të festojmë pa pandemi (Covid-19) dhe pa distancë sociale”. Playfest bazohet pra në punë vullnetare. Kohën dhe profesionalizimin e saj këtij festivali ia kushton Blerta Ahmeti e cila është koordinatore aty. Ajo është shprehur e kënaqur dhe me organizimin e sivjetmë, por që ka përmendur se është vërejtur tej mase ndikimi i COVID-19. “Natyra e festivalit është të trajtojë aktivitetet që përbëhen nga programet kulturore, artistike dhe sociale. Po besojmë që së paku kemi ofruar një festival, i cili e ka thyer monotoninë dhe i ka argëtuar të gjithë ata të cilët e kanë përcjellë në formatin live-stream”, është shprehur Ahmeti për klankosova.tv “Ky festival është shumë i rëndësishëm për ne të rinjët dhe për qytetin tonë sepse edhe pse ne Ferizaj kemi organizime të ndryshme, ky festival ka përcuar ndryshim dhe gjithpërfshirje të aktiviteteve dhe shoqërisë”. Ajo ka potencuar rolin e kolegut të saj Pëllumb Bekteshit në nismën dhe mbarëvajtjen e Playfest, duke përmendur edhe pretendimet e përbashkëta për të ardhmen. “Ne së bashku me Pëllumbin dhe ekipin dëshirojmë që ky festival të bëhet tradicional duke u munduar që çdo vit të sjelljm risi, ‘workshope’, artistë, vepra kreative dhe personalitete të rëndësishme”.