Përfillet kërkesa e ndërkombëtarëve, qeveria ‘zbut’ vendimin për targat NULL NULL 28.10.2022 18:35 28.10.2022 18:35 Foto ilustruese. Qeveria e Kosovës vendosi që ta ‘zbusë’ vendimin për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS. Kryeministri Albin Kurti duket se gjeti një mënyrë që të përfillë kërkesën e ShBA-së dhe BE-së për shtyrjen e afatit për 10 muaj për konvertimin e targave pa e shtyrë afatin ashtu siç kërkuan ata. Ai në mbledhje të qeverisë propozoi shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës. Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit, nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes, dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese. Kurti tha se “kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin dhe ligjin, por edhe ta kemi përgjigjën tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes e sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”. Kujtojmë që ShBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar shtyrjen e afatit për targat me qëllim të shmangies së tensioneve. 18:23 – Kurti i fton kryetarët e komunave veriore në takim që të flasin për targat e energjinë Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka ftuar kryetarët e komunave veriore për takim në kryeministri. I pari i qeverisë tha se me ta do të flasin për pagesën e energjisë në veri por edhe për targat. “Dëshirojmë të diskutojmë për këto por jo vetëm për këtë. Tash do t’i kemi dy tema, do ta kemi temën e energjisë dhe atë targave kurdo që e kemi atë takim”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv. Kujtojmë se sot Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për sekuencim të vendimit për targat, ku nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë vetëm qortim për pronarët e veturave që do të kenë targa ilegale, nga 21 nëntori deri më 21 janar gjobë, nga 21 janari deri më 21 mars do të ketë targa provuese. 18:17 – Sveçla: Në vazhdimësi ka shkelje të ligjit në veri të Kosovës Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se në veri të Mitrovicës vazhdimisht shkelet ligji. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti që e kanë mbajtur për media, ai ka përmendur rastet e qytetarëve serbë të Kosovës të cilët kanë vendosur që t’i kthejnë targat e veturave të tyre në RKS, ku të njëjtit pastaj janë kërcënuar ose sulmuar. “Në vazhdimësi ka shkelje të ligjit atje. Ju jeni dëshmitar se si shtetas tanë që kanë bërë konvertimin e targave kanë qenë të atakuar dhe kjo natyrisht se është një brenga e jona”. “Duke pasur parasysh përvojat e kaluara, vlerësojmë se mund të ketë edhe rreziqe të tjera”. 18:17 – Kurti: Fushata kriminale e Serbisë kundër serbëve të Kosovë na bëri që kurrsesi të mos e shtyjmë vendimin Kryeministri i vendit, Albin Kurit, ka folur në lidhje me vendimin e ri që e mori qeveria për sa i përket targave ilegale serbe. Ai tha se pas diskutimeve të brendshme në qeveri dhe pas konsultimeve të vazhdueshme me institucionet e sigurisë, kanë ardhur në përfundim që më së miri është të bëjnë propozimin e ri. Kreu i qeverisë tutje tha se ka një fushatë agresive e kriminale që vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe kjo sipas tij, është aryseja që vendimi s’është shtyre. “Por, jemi të vetëdijshëm që edhe ka një fushatë agresive e kriminale që vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, e të gjitha këto na kenë bërë të mendojmë se më së miri është që zbatimin e vendimit kurrsesi të mos e shtyjmë por ta sekuencojmë atë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv. Tutje, Kurti tha se vendimi për targat ilegale nuk ka ndryshuar dhe se zbatimi fillon që nga 1 nëntori, mirëpo sipas tij do të ketë sekuencim dhe kallëzim të sanksioneve për mos-zbatueshmëri të ligjit e të vendimit qeveritar. “Konkretisht, në tri javët e para të muajit të ardhshëm, nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor të gjithë ata që kanë targa ilegale do t’u shqiptohet qortimi”. “Më pastaj, nga data 21 nëntor për 2 muaj nuk do të ketë vetëm qortim por do të ketë gjobë, pra 21 nëntori deri më 21 janar 2023 dhe më pastaj prej 21 janarit 2023 deri më 21 prill, për 3 muaj është e mundshme vetëm me targa provuese por jo më me targat “KM””, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv. Më tej, ai tha se më e rëndësishmja është që në 3 javët që fillojnë të martën, do të ketë qortime për targat ilegale në Kosovë. “Ajo që është më e rëndësishmja tash është që në 3 javët që fillojnë të martën do të ketë qortime për ato targat ilegale në Kosovë, prandaj që të mos ketë qortime, as gjoba, ne i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë aso targa që edhe të mos marrin gjoba e qortime por edhe të vazhdojnë të përfitojnë edhe nga mundësia që ngelet edhe më tej sa i përket lehtësimeve tatimore. Kjo do të vazhdojë deri më 31 mars të vitit 2023”, është shprehur Kurti. 18:00 – Kurti: Ambasadorëve të Kuintit ua thamë vendimin e ri, do të konsultohen me kryeqendrat e tyre Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje pas takimit që pati me ambasadorët e vendeve të Kuintit në lidhje me vendimin e ri të qeverisë në lidhje me targat. Ai tha se pas prezantimit të qëndrimit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat, ambasadorët patën pyetje dhe pas kësaj, sipas Kurtit, ata thanë se duhet të konsultohen me kryeqytetet e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë çështje. “Së bashku me ministrin Sveçla, me dy zëvendëskryeministrat kemi takuar pesë ambasadorët e Kuintit dhe ambasadorin e BE-së dhe me atë rast ua prezantuam qëndrimin tonë.” “Natyrisht që qëndrimi, ideja e tyre ka qenë gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë se kjo është zgjidhja më e mirë”. “Me ç’rast ata nuk e dinin këtë propozim tonin paraprakisht, patën disa pyetje dhe më pastaj thanë se u nevojitet të konsultohen me kryeqytetet e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonin, i cili ishte propozim në mbledhjen e fundit të qeverisë”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv. Tutje, ai tha se tashmë në lidhje me vendimin janë të njoftuara dhe kryeqendrat e shteteve aleate të Kosovës dhe ato mund t’i thonë udhëzimet që mund t’i kenë në lidhje me këtë çështje. 17:59 – Sveçla: Nga 1 nëntori, do ta zbatojmë me përpikëri vendimin e shkallëzuar për targat Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës sot është marrë vendim që të shkallëzohet zbatimi i vendimit për konvertimin e targave ilegale në ato legale. Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit, nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes, dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese. “Nga data 1 nëntor, do ta zbatojmë me përpikëri ligjin e ri për targat”, ka thënë ministri Sveçla. 17:27 – Qeveria ‘zbut’ vendimin për targat, e shkallëzon kthimin e KM-ve në RKS Qeveria e Kosovës e ka ‘zbutur’ vendimin për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS. Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, propozoi shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës. Nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit, nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes, dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese. Shefi i qeverisë kosovare deklaroi se pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të tjera në Kosovë, pos atyre RKS, njofton Klankosova.tv. “Targat PR, KM, PZ, GL, UR, PE, apo GJA janë targa ilegale. Qeveria e Republikës së Kosovës përmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve me targa ilegale që të njëjtat t’i kthejnë në targa zyrtare RKS”. “Ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me ministrinë e linjës dhe organet e tjera të sigurisë dhe kemi ardhur në përfundim që të sjellim për propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Më konkretisht për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, nga 21 nëntori për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pas nga 21 janari do të kemi targa provuese për tre muaj të tjerë deri më 21 prill. Nga 21 prilli nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”. Kurti deklaroi se nëpërmjet këtij sekuencimi dhe shkallëzimi tregojnë seriozitetin për zbatimin e vendimit dhe iu japin shansin atyre që duan të integrohen. “Kjo është mënyra që edhe ta zbatojmë rendin dhe ligjin, por edhe ta kemi përgjigjën tonë për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes e sigurisë në vendin tonë, por jo vetëm”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kurti dhe Sveçla takojnë shefin e EULEX-it, diskutohet edhe për dezinformimin dhe lajmet e rreme 07/10/2024
Kosova "Qeveria më e ndershme që e ka pasur Republika e Kosovës" - Rexhaj flet për qeverinë Kurti 07/10/2024