Pas 13 vjetësh në mërgim, Shehrije Balaj gjeti forcën të dëshmojë në Beograd (VIDEO) NULL NULL 24.06.2026 22:47 24.06.2026 22:47 Pak pas kësaj ngjarjeje, Shehrije Balaj dhe familja e saj u detyruan ta lënë Kosovën për disa vite. Mërgimi i përkohshëm ishte një përpjekje për t’u larguar nga vendi ku dhimbja dhe kujtimet e luftës ishin ende shumë të freskëta. Pas një kohe, ata u rikthyen sërish në Kosovë, por plagët e atyre ngjarjeve nuk ishin shëruar kurrë plotësisht. “Mas asaj dite, kemi nejtë edhe tri javë kemi nejë, edhe shkuam për Mal të zi, në Rozhajë jemi shku me një kerr. Prej aty i kemi marrë edhe një kerr tjetër, një taxi edhe kemi dalë anena. Pyetje: Keni jetu shumë në Mal të zi? Kemi jetu nja 13 vite. Atëherë jemi kthy, na kanë mari këtë shtëpi ndihma, bofshin hajër, se atë tonën na e djegë serbët”, deklaron Haxhi Balaj. “U kthymë baba thojke sikur vendi yt nuk ka o birë. Ai në 2001tën jemi ardhë këtu, e kemi pasë njëfarë Mul Ademi, një kojshi, edhe ka punu te ai 5 vjet, rrogëtar. E i tha babës edhe nja 10 vjet mos u kthe, tha se nuk është mirë, pas 10 vjete atëhere hajde apet te baba se baba bën çmos edhe të marin naj shtëpi a diçka, por duk kjo organiztaa që marojshin shtëpi me u kthy në vendin tonë”, vazhdon më tej ai. Jo vetëm familja, por edhe fqinjët dhe bashkëfshatarët e dinin historinë e Shehrijes. Dhimbjen që e kishte shoqëruar për vite me radhë, ajo nuk e kishte fshehur nga njerëzit më të afërt. Megjithatë, kur erdhi momenti që përjetimet e saj t’i rrëfente para një trupi gjykues në Beograd, hezitimi ishte i madh. Sipas avokatit, Mustafë Radoniqi, Shehrija fillimisht nuk ishte e bindur nëse duhej të merrte atë rrugë dhe të dëshmonte para gjykatësve serbë. Frika, trauma dhe pesha e kujtimeve të luftës e bënin atë vendim jashtëzakonisht të vështirë. Por, në fund, ajo vendosi të fliste. Jo vetëm për veten, por edhe për të vërtetën e asaj që kishte ndodhur. “Për Shehrije Balajn, unë kam pasë informata prej fshatarëve të fshatit Qyshk, ku ka ndodhë ato ngjarje me datën 14 maj 1999. Edhe unë atëherë e kam propozu si dëshmitare. Ajo njëherë, një kohë nuk ka dashtë me dëshmu, ndonëse unë nuk kam kontaktu njëherë me të, por nëpërmjet disa njerëzve të Qyshkut, kanë kontaktu, ajo fillimisht ka refuzu që të jap deklaratë dhe konsideroj që ka qenë ndikimi i bashkëshortit të saj, ai nuk e ka leju. Më vonë ajo ka pranu, me pëlqimin edhe të bashkëshortit edhe po ka pas aty fërkime në mes të atyre dyve dhe herë thoshte se do të vi, herë nuk do të vi, kështu që më në fund ka pranu me ardhë dhe e ka dhënë deklaratën…. ajo deri në detaje e ka përshkru ngjarjen si ka qenë. …. unë e kam vërejtë se ajo me të vërtetë ka pas vuajtje të tmerrshme aty, sepse jo vetëm që e kanë dhunu por edhe e kanë nënqmu e kanë deformu krejtësisht atë grua, prandaj ka qenë një dëshmi tepër, tepër e rëndë”, ka deklaruar për emisionin MAT në Klan Kosova, Mustafë Radoniqi, avokati që përfaqësoi Shehrijen dhe viktimat e luftës në këtë proces gjykimi në Beograd. Në këtë proces gjyqësor, 11 persona u akuzuan për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë operacioneve të kryera në maj të vitit 1999 në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Ljubenicë të komunës së Pejës. Të akuzuarit ishin Toplica Miladinović, Srećko Popović, Slaviša Kastratović, Boban Bogičević, Radosav Brnović, Veljko Korinjanin, Abdulah Sokić, Milojko Nikolić, Ranko Momić, Siniša Mišić dhe Dejan Bulatović. Pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth katër vjet, Gjykata për Krime Lufte në Beograd, më 11 shkurt 2014, shpalli fajtorë nëntë nga njëmbëdhjetë të akuzuarit. Gjykata konstatoi se gjatë sulmeve ndaj fshatrave shqiptare ishin kryer vrasje, dëbime të detyruara, plaçkitje, djegie shtëpish dhe dhunë seksuale. Për këto krime u shqiptuan gjithsej 106 vjet burgim. Megjithatë, një vit më vonë, më 26 shkurt 2015, Gjykata e Apelit në Beograd e rrëzoi në tërësi aktgjykimin e shkallës së parë dhe urdhëroi rigjykim. Apeli nuk i shpalli të pafajshëm të akuzuarit, por vlerësoi se gjykata e shkallës së parë nuk kishte arsyetuar mjaftueshëm përgjegjësinë individuale të secilit prej tyre. Pas kthimit të lëndës në rigjykim, procesi vazhdoi për vite të tëra. Vetëm në prill të vitit 2024 u shpall një aktgjykim i ri i shkallës së parë, ku disa prej të akuzuarve u shpallën sërish fajtorë për krimet e kryera në fshatrat e komunës së Pejës gjatë luftës në Kosovë. Në Beograd, në vitin 2013, Shehrije Balaj kishte udhëtuar dy herë për të dëshmuar. Haxhi Balaj kujton se sa herë ajo kthehej nga seancat, dhe sa herë flitej për rastin, gjendja e saj emocionale rëndohej dukshëm. Çdo rikthim te kujtimet e luftës e sillte përsëri në të njëjtën dhimbje, sikur ngjarjet të mos i përkisnin së kaluarës, por të ishin ende pjesë e përditshmërisë së saj. “Pyetje: Me kon ka shku në Beorad ajo në gjykatë? Ka qenë me babën edhe qaj Mustafë Radoniqi qity një avokat i Pejës, kanë qenë do të Una.. veq e di nja 5-6 kerre kanë qenë para mbas, këta kanë qenë në midis kur kanë dhanë dëshmi atje edhe i ka përmend nana…. Pyetje: Çka thojke nana kur vijke në shtëpi pas gjykatës? Paj, ja niske kajke, kur ju kujtojshin qato kohët e luftës ajo fill njëfarë shtresi, bike në të lig, nga 1 sahat nuk i dilke të ligu”, rrëfen Hashiu, djali i Shehrije Balajt.