Pak kamionë me mallra serbe po hyjnë në Kosovë NULL NULL 08.10.2024 23:32 08.10.2024 23:32 Kamionët duke pritur në terminalin doganor, pika e kalimit kufitar në Merdare, 8 tetor 2024. Foto: REL Hapja e kufirit për mallrat serbe, ka bërë që kamionët me prodhime nga fqinji verior i Kosovës të nisin të vijnë këndej kufirit. Megjithatë, numri i tyre raportohet të jetë i vogël. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se kamionët me mallra që kanë origjinë Serbinë, kanë qarkulluar pa ndonjë problem, por numri i tyre gjatë ditës së sotme ka qenë i vogël. Në ndërkohë, transmetuesi publik thotë të ketë qëndruar në Merdarë, ku kanë biseduar me shoferët e kamionëve që po vinin këndej kufirit. Ata citohen të kenë thënë se nuk ka pritje të gjata, përpos ndryshimit të procedurave gjatë kontrollit. Vetë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha sot gjatë ditës se bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Andaj, siç bëri të ditur ai, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksionalë në ato pika kufitare. /Klankosova.tv