Pacientët kosovarë me kancer do të mund të trajtohen në Shqipëri NULL NULL 13.07.2022 14:08 13.07.2022 14:08 Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka pranuar sot mbështetjen nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, Orgeta Manastirliu, për trajtimin e pacientëve kosovarë me radioterapi. Në letrën e ministres Manastirliu, thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës, dhe se gjenden në këtë situatë të krijuar si pasojë e kushteve atmosferike. “Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër. Në këtë kuadër, thuhet në vazhdim të letrës, po përvijohet një plan i përbashkët pune në nivel teknik për të mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Shërbimi i Onkologjisë së Kosovës në përputhje me mundësitë e Shërbimit Onkologjikë Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaciteteve të shërbimit. “Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, ka nderin të paraqesë edhe një herë konsideratën e saj më të lartë për Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe të shprehë gatishmërinë e saj për çdo ndihmë e komunikim në ditët në vazhdim”, përfundon letra mbështetëse e ministres Manastirlu dërguar ministrit Latifi.