Osmani e Kurti kërkojnë hapjen e arkivave serbe për të pagjeturit (VIDEO) NULL NULL 30.08.2022 20:28 30.08.2022 20:28 Qe 23 vjet mallin për të dashurit e tyre e heqin me fotografi. Njëjtë veproi edhe këtë 30 gusht, që shënohet si Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve, Hasime Doqi nga Klina që e ka të zhdukur djalin. Ajo në ekspozitën e hapur me 35 fotografi të po aq personave, të realizuara nga familjarët e tyre, kujtoi amanetin e fundit të të birit. “Më 6 maj që ma kanë marrë në Dobërdol, edhe fjalën e fundit ma ka thënë ‘nëna jem këtë çikë amanet po ta lë’. I thash ani djali jem se kurban i çikës bëhem, por dashtë Zoti nuk ju gjen asgjë. Por, i kam dëgjuar krismat, kam qenë ulur dhe thash djemtë na i vranë”. Plumbat e ushtrisë serbe, Flaka Zogut ia vranë babanë kur kjo ishte vetëm nëntëmuajshe. “Ne çdo ditë presim trokitjen pas të cilës do të pasojë një lajm për babain, por kot”, tha ajo. E djali i intelektualit të zhdukur Ukshin Hotit tha se vetëm Serbia mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Në vazhdimësi kemi kërkuar të hap arkivat e saja sekrete ato të Policisë dhe ushtrisë”, tha Andin Hoti. Të njëjtën e kërkuan edhe krerët e shtetit që bënë homazhe te obelisku i dedikuar këtyre personave. “Edhe sot bëjmë thirrje që së bashku me komunitetin ndërkombëtar të rrisim angazhimin që Serbia përfundimisht të përgjigjet për krimet e kryera, por edhe të tregojë vendndodhjen e qytetarëve tanë, më të dashurve tanë, të cilët ende nuk e dimë se ku janë”, tha presidentja Vjosa Osmani. Në ndërkohë, kryeministri Albin Kurti tha se “dënojmë çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë”. Kosovës ende i mungojnë më shumë se 1600 qytetarë, 100 prej të cilëve janë fëmijë.